KUAJT – Poezi nga Gjekë Marinaj – 1990

Tërë jetën duke vrapuar rrimë
Shohim veç përpara
Ç’bëhet prapa s’duam t’ia dimë.
Ne nuk kemi emër
Të gjithëve kuaj na thonë.
Nuk qajmë,
Nuk qeshim;
Heshtim,
Dëgjojmë;
Hamë atë ç’na japin,
Ecim nga na thonë,
Asnjë nga ne s’është mendje hollë.
Kush qe kalë mbreti,
Posti qe i lartë
Kush qe kalë princeshe
I bënë shalë të artë
Kush qe kalë fshatari
Pat samarë me kashtë
Kush qe kalë i egër
Tërë jetën fjeti jashtë…