Doli nga shtypi monografia “I Lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i Kishës Martire”, botuar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Redaktore Valbona Jakova, redaktore letrare Maria Pjetraj Loka,  kopertina Blerina Pagria  dhe faqosja Valbona Cako Petanaj.

Parathënia e librit nga Arqipeshkëvi Metropolit i Arqipeshkëvisë Tiranë-Durrës Imzot George Frendo.
Libri ka 520 faqe dhe përmban burime arkivore nga 6 arkiva, 146 burime bibliografike, si dhe 7 dorëshkrime e dëshmi.
Dom Shtjefën Kurti është njëri ndër personalitetet më të vlerësuara ndër shqiptarët. I shpallur “I Lum” nga Selia e Shenjtë, dekoruar me dekoratën më të lartë të shtetit shqiptar “Urdhërin e Flamurit Kombëtar”, si dhe dekoratat e tjera të larta, Urdhërin “Nënë Tereza”, “Urdhëri për Veprimtari Patriotike të klasit I”, Medaljen “Martir i Demokracisë”. Dom Shtjefën Kurti mban titullin ” Nderi i Qarkut të Lezhës”.
Nisur nga koha kur e vranë dhe motivet që çuan në martirizimin e Tij, ai është njëri ndër martirët shqiptarë më të njohur në hierarkinë e Kishës Katolike dhe në kancelaritë më të rëndësishme të botës.