Nga Esad GJONBALAJ *– Amerikë

Lajmet e ditëve të fundit për bashkimin e faktorit politik shqiptar në Malësi, gjegjësisht në Tuz, ngjallë shpresën se më në fund diçka pozitive po ndodh atje. U deshtë një kohë e gjatë që, më në fund, në skenën politike të vijë dikush pragmatik dhe vizionar për ta bërë të pamundurën për këtë arritje, u deshtë të bisedohet shumë për ta shndërruar misionin e pamundur në  të mundur.

Ky bashkim i spektrit politik shqiptar duket shumë e shumë shpresëdhënës, sepse më në fund faktori politik shqiptar e kuptoj se mbi interesat partiake duhet të mbizotërojë interesi i shenjtë kombëtar.

Kjo frymë bashkëpunimi dhe përafrimi duhet të reflektojë gjithandej trevave shqiptare nën Mal të Zi dhe, si edhe  gjatë historisë së lavdishme, Malësia le të jetë ajo shpresë lajmëtare për të mirë të interesave kombëtare për një fillim te të ri e të mbarë.

Politikat perfide antishqiptare e kanë sjellë popullatën autoktone para dy akteve gjysmë të kryera: boshatisjes së tokave stërgjyshore dhe aktit  të asimilimit.

Është koha e fundit që të bashkohemi, sepse në të kundërtën praktikat e cekura më lart do t’i sjellin subjektet  politike para një akti të kryer dhe ogurzi, që nuk do të kanë kënd ta përfaqësojnë.

Këta skenarë rrënqethës mund të ndryshohen dhe të parandalohen vetëm nëse jemi të bashkuar dhe me ndihmën e sinqertë dhe serioze të shteteve tona. Ndihma e shteteve tona është e domosdoshme, por edhe obligim nacional i qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, sepse nëse Serbia për 5 për qind serbë në Kosovë investon qindra miliona euro, duke i mbrojtur interesat nacionale,  shtrohet një pyetje e thjeshtë: Ç’ka janë duke bërë dhe çfarë do të bëjnë shtetet tona për Ne…?

_____

*Esad Gjonbalaj, veprimtar i shquar shqiptar në Amerikë e Plavë-Guci, ish kryetar i Fondacionit Plavë-Guci në SHBA.