Merkato dimërore, klubet shpenzojnë 80% më pak se në verë

Sipas të dhënave të FIFA TMS, Fifa Transfer Matching System, që monitoron çdo muaj transferimet e lojtarëve, gjatë merkatos së dimrit, klubet e pesë kampionateve kryesore në Europë shpenzojnë më pak.

Nga viti 2011 e deri më sot, klubet italiane, franceze, angleze, spanjolle dhe gjermane kanë shpenzuar 3,8 miliardë dollarë në merkaton e dimrit. Kjo shifër është rritur ndjeshëm në vitet e fundit, me një rritje të rëndësishme mes sezonit 2017 dhe 2018. Në merkaton dimërore të vitit të kaluar u shpenzuan 979 milionë dollarë, afërsisht 1 miliard dollarë.

Këto shifra ndryshojnë krahasuar me merkaton e verës, ku klubet më të mëdha shpenzojnë pjesën më të madhe të parave, duke qenë se ajo zgjat edhe më shumë. Sipas të dhënave të FIFA, nga viti 2011 e deri më sot, pesë kampionatet kryesore nuk kanë shpenzuar kurrë më pak se 1 miliard dollarë, duke kapërcyer shifrën 4 miliardë dollar gjatë merkatos verore 2018. Në total, kjo shifër arriti 20,2 miliardë dollarë.

Burimi: Fifa Tms / Të dhëna në mln dollar

Në total, në merkaton dimërore shpenzohet 81,2% më pak krahasuar me merkaton verore. Kjo përqindje varion nga 71,8% në vitin 2011 në 86,3% në vitin 2016.

Këto shifra natyrisht reflektohen edhe në marrëveshjet e arritura. Në merkaton e dimrit, nga viti 2011 e deri më sot, janë kryer në total 3549 transferime, 66,7% më pak se 9.667 marrëveshje të arritura në merkatot e verës.

Burimi: Fifa Tms / Të dhëna në mln dollar