Në bisedime me Serbinë ose bashkë ose të dëmtuar

Nga Harry Bajraktari*

Kosovën tash dhe në muajt e ardhshëm e presin ditë vendimtare rreth bisedimeve politike me Serbinë. Ne ende nuk e kemi një ekip të përbashkët dhe nuk e kemi të qartë se çka po duam me këto negociata para Bashkësisë Ndërkombtare. Duhet të veprojmë me një zë në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe askush nuk ka të drejtë të bisedojë pa një vendim të Kuvendit. Këtë e kanë obligim ata që u zgjedhën me votën e popullit. Territori është e panegociueshëm dhe, gjthashtu, disa çështje të tjera që janë në interes jetik të shtetit dhe të qytetarëve tanë. Pra, duhet t’i thuhet qartë Brukselit dhe shteteve aleate të vendit tonë se çka mund e s’ mund të bisedohet me Beogradin. Të gjitha këto duhet të harmonizohen dhe ta kenë miratimin e Kuvendit, si institucion shtetëror i vendim marrjes.

Këto bisedime deri me tash, me ndërmjetësimin e Bashkësisë Evropiane në Bruksel, nuk dhanë as për së afërmi rezultatet e pritura në zgjidhjen e mospajtimeve që ekzistojnë në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Me serbinë po negociohet më shumë se pesë vite, dhe për një numër çështjesh janë nënshkruar disa marrëveshje nga pala kosovare dhe ajo serbe. Problemi i këtyre marrëveshjeve të arritura, me ndërmjetësimin e Bashkësisë Evropiane, është se Beogradi nuk bën implementimin e tyre, përkundër zotimeve që ka dhënë në Bruksel. Në anën tjetër, Serbia edhe pse “bisedon” me Kosovën gjoja për normalizimin e raporteve mes dy shteteve, ajo për asnjë çast nuk e ndal destukcionin kundër vendit tonë. Mu për këtë Qeveria e Kosovës, si kundërpërgjigje, këto ditë ndërmori një masë për rritjen e taksës ndaj mallrave që hyjnë në Kosovë nga Serbia. Beogradi kur është në pyetje problematika e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, gjithnjë nxjerrë pretekse të reja, të pa qena për të gjetur diçka që të refuzojë implementimin e tyre, duke i kushtëzuar ato me çështje të tjera të inskenuara. Edhe tash pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës, thotë se nuk do të ketë vazhdim të dialogut për derisa nuk tërhiqet Prishtina nga kjo masë.

Është pyetje e thjeshtë: a ka në këtë drejtim diçka që ne mund të kritikojmë vetveten? Mendoj se po. Po kalon një vit, duke pritur formimin e një këshilli apo ekipi të përbashkët negociues, ku do të përfshiheshin përfaqësuesit e të gjitha partive politike në këto bisedime. Kjo pritje duket e kotë, sepse subjektet politike në Kosovë, për fat të keq, zhvillojnë luftë mes veti, në vend se të jenë të bashkuar kundër pretendimeve, qëllimeve dhe djallëzive serbe. Pozitë dhe opozitë kundërshtojnë njëra tjetrën për interesa personale partiake, se sa që marrin në fokus çështjen madhore, siç janë bisedimet me palën serbe.
Për bisedimet me Serbinë duhet të jemi bashkë, ose në të kundërtën, me sy çelë, po shkojmë drejt një rruge qorre në dëm të shtetit dhe të popullit tonë. Por, për këtë çështje përgjegjësia nuk mund të jetë e njëanshme, ajo është e përbashkët, pra e të gjithë subjekteve politike dhe institucioneve shtetërore që morën votën e popullit, duke mos amnestuar askënd nga kreu deri tek i fundit.

Nëse negociatat do të duhej të përfundojnë në vitin e ardhshëm, siç është thënë mes Prishtinës dhe Beogradit, atëherë të ndalemi e të mendojmë, ku jemi ne?!

Në një shkrim të më hershëm kam shfaqur opinionin tim se është i domosdoshëm formimi i një Këshilli të përbashkët ku do të merrnin pjesë Presidenti, Kryeministri, Kryeparlamentari dhe të gjithë përfaqësuesit e partive politike shqiptare që janë në parlament. Vetëm me një zë dhe pjesëmarrje të tillë do të jemi të fortë dhe të barabartë në bisedimet me Serbinë në Bruksel. Pra ekipi i Kosovës, i formuar sipas kësaj skeme të përbashkët,garanton siguri dhe besushmëri para qytetarëve të Kosovës, ku Beogradi për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në fund të dialogut duhet ta njohë shtetin e Kosovës pa kushte.

Koha po ec e ne duhet të veprojmë, ta zhvillojmë Kosovën dhe, njëherësh, të garantojmë siguri e prosporitet për qytetarët tanë.
______________

*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës “Illyria”.

New York, 2018