Raporti i ri i Fondit për Kafshët e Botës (WWF) ngre kambanën e alarmit për humbjen e llojeve të kafshëve

Një raport i ri i Fondit për Kafshët e Botës (WWF) detajon një rënie drastike të biodiversitetit të botës. Në përgjithësi, përqindja e të gjitha llojeve të kafshëve në tokë, det dhe ajër është ulur me shpejtësi që nga viti 1970.Statistikat janë tronditëse dhe alarmuese.

“Popullsia e gjitarëve, shpendëve dhe peshqve ka rënë nga viti 1970 deri në vitin 2014, 60 për qind në shkallë globale dhe në ujrat e ëmbla, përqindja është rreth 80 për qind”, thotë Nik Sehran i organizatës World Wildlife Fund.

Dhe nuk është befasi që aktiviteti njerëzor është kryesisht përgjegjës.

“Aktiviteti njerëzor është faktori kryesor i kësaj rënieje, para së gjithash kërkesat tona në rritje për udhqim, energji, ujë …”, thotë Kerry Cesareo e WWF-së.

Ky aktivitet po shkakon ndryshimin e klimës. Por autorët thonë se ka mësime që mund të nxjerrim nga përpjekjet e përbashkëta për të ulur sasinë e gazit që shkakton efektin serrë.

“Kur mendojmë se si reagoi bota ndaj kërcënimit për klimën dhe arriti një pakt në Paris në vitin 2015 për të marrë masa ndaj ndryshimeve klimatike, sot na duhet të një marrëveshje e ngjashme në nivel global për njerëzit dhe natyrën”.

Dhe studiuesja Cesareo sjell si shembull histori suksesi si rimëkëmbja e Pandës Gjigande dhe shtimi i popullatës së tigrave si provë se ajo që po ndodh nuk është e pakthyeshme.

“Raporti është vërtet kambanë alarmi, por mendoj se mesazhi është gjithashtu se nuk është shumë vonë për të ndryshuar kurs. Jeta ka aftësinë për t’u ripërtërirë, prandaj nëse marrim masa të koordinuara, mund t’i zmbrapsim këto prirje dhe të kemi një planet të shëndetshëm për brezat e ardhshëm”, thotë Cesareo.

Për të ndihmuar në ripërtëritjen e gjallesave, WWF-ja po u bën thirrje qeverive që të nënshkruajnë një Konventë për Larminë Biologjike në vitin 2020, që do të krijonte një plan për ruajtur habitatet e kafshëve të egra dhe biodiversitetin në tkurrje të planetit.

“Ajo përcakton objektiva si përshembull përqindja e sipërfaqes që duhet ruajtur në rezervarte dhe parqe dhe lloje të tjera të ruajtura nga komunitetet”.

WWF-ja thotë se të gjitha burimet që na jep toka, përsa u takon ushqimeve, lëndë druri dhe energji për shembull, gjithsej kanë një vlerë rreth 125 trilionë dollarë në vit.

Synimi është të gjendet një mënyrë për ta bërë të gjithë këtë biodiversitet të pasur natyror, të qëndrueshme dhe të vazhdueshme për brezat e ardhshme.