Guardiola: Pesë ekipe janë në garë për titullin e Premier League

Menaxheri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka thënë se janë pesë skuadra në garë për titullin e Premier Ligës këtë sezon.

Manchester City është duke e udhëhequr momentalisht kampionatin anglez me 23 pikë nga nëntë ndeshje, po aq sa ka Liverpooli në vendin e dytë.

Megjithatë, diferenca me tri vendet poshtë dy liderëve është shumë e vogël, vetëm dy pikë.

Chelsea, Arsenali dhe Tottenhami ndajnë pozitat tre, katër dhe pesë me nga 21 pikë nga nëntë ndeshjet e para.

Kjo diferencë e ngushtë pikësh ka bërë që Guardiola ta shohë si një garë të fortë për titull këtë sezon në Premier Ligë.

Në përgatitje për udhëtimin e City-t të hënën në Tottenham, Guardiola ka thënë se janë pesë ekipe në garë për titull.

“Nuk kam asnjë dyshim rreth kësaj gare për titull. Ne jemi vetëm dy pikë diferencë me vendin e tretë, katërt dhe pestë. Ata janë shumë të fortë të gjithë”, ka thënë Guardiola.