Institucionet malazeze të ndalin kishën ortodokse serbe në uzurpimin e pronave etnike shqiptare

Reagimet e subjekteve politike shqiptari dhe heshtje e organeve përgjegjëse malazeze !

Punimet e Kishës Ortodokse Serbe në ndërtimin me gurë të kishës metalike ekzistuese në majën e Rumisë kanë ngjallur indinjatë dhe reagime të banorëve vendas të Krajës, qytetarëve shqiptarë dhe të përfaqësuesve të tyre.

Para shumë ditëve në Majën e Rumisë kanë filluar ndërtimet duke e betonizuar kishën e metaltë atje nga ana e përfaqësuesve të Kishës ortodokse serbe. Kisha metalike në Rumi është vendosur në vitin 2005 nga Kisha ortodokse serbe me ndihmën e helikopteri të ushtrisë së Serbisë dhe Malit të Zi, pa miratimin e Ministrisë së Planifikimit Hapësinor të Malit të Zi, dhe ka nxitur një debat të madh në Mal të Zi sidomos në radhët e shqiptarëve, i cili vazhdon edhe sot me kërkesën për heqjen e këtij objekti.

Kryetari i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj u ka bere bër thirrje institucioneve malazeze që të deklarohën publikisht, a mund t’a zgjidhin problemin dhe të ndalin Kishën Ortodokse Serbe në uzurpimin e tokave të banuara me shekuj prej shqiptarëve.

Lidhja Demokratike në Mal të Zi, ka kërkuar nga presidenti i shtetit, Millo Gjukanoviq, që urgjentisht  të ndalojë ndërtimin e kishës jo legale në Rumi dhe që , siç theksohet, kjo bjeshkë të lirohet nga okupimi  dhe hapësira të kthehet në gjendjen e mëparshme. Në kërkesën e LD në MZ, të cilën e ka nënshkruar kryetari, Mehmet Bardhi, theksohet se tash një kohë të gjatë presim që definitivisht të mënjanohet kjo kishë nga metali dhe, siç thuhet,  maja e Rumisë të çlirohet.

LDSH: Sllavizimi i trevave shqiptare në Malin e Zi po vazhdon- Shndërrimi i llamarinës nga Maja e Rumisë, në kishëz me material të fortë, pra nuk dëshmon dobësinë e shtetit, sikur tenton dikush ta paraqesë, për objektiv të pushtetit, i cili po e heshtë këtë aktivitet të kishës serbe, edhe pse ka mjete e mundësi që ta ndal. Nëse për asgjë tjetër, po të donte, do ta ndalte për faktin se në Malin e Zi, sipas ligjit, asgjë nuk mund të punohet pa leje ndërtimi. A mos e ka pasur lejen kjo teneqe, e quajtur kishëz !

Ministri Mehmet Zenka, për CDM deklaron se është i ‘’bindur se kësaj radhe Qeveria e Malit të Zi me siguri do të ketë një reagim dhe këtë në ditët e ardhshme’’.

Zenka shprehet se ndërtimi i kësaj kishe ka një ndikim negativ në popullatën fetare, si te shqiptarët, myslimanët, katolikët, ashtu edhe fetë dhe kombet e tjera në Malin e Zi.

Lidhur me këtë çështje, deputeti Nimanbegu i është drejtuar edhe para disa ditësh ministrit Radulloviq, pas shfaqjes së fotografive për transportimin e materialit ndërtimor në majën e Rumisë.

Në përgjigjen e tij, ministri Radulloviq thekson se “pas këqyrjes në evidencën zyrtare të Ministrisë së Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit është konstatuar se Inspeksionit Urbanistik-Ndërtimor nuk i është dorëzuar fletëparaqitja për ndërtim në Rumi. Po ashtu Ju bëjmë me dije se aktualisht në lokalitetin për të cilin bëhet fjalë nuk janë duke u kryer punime ndërtimore”.

Shoqata “Kraja” në Nju-Jork ka reaguar sërish lidhur me ndërtimin e kishës duke vlerësuar se Kisha Ortodokse Serbe po betonizon krimin nën hundën e pushtetit.

“Si qytetarë të Krajës jemi të shqetësuar se këto ndërtime të paligjshme kanë për qëllim uzurpimin e Rumisë nga Kisha Ortodokse Serbe. Kërkojmë nga Inspektoriati i Ndërtimtarisë së Malit të Zi që menjëherë të ndërhyjë dhe të ndalojë vazhdimin e këtyre punimeve në malin e Rumisë”, thuhet ndër të tjera në reagim, ku kërkohet edhe nga qytetarët që të jenë më proaktivë duke e njoftuar inspektoriatin për punimet ilegale.

Kjo shoqatë i është drejtuar me një letër të hapur edhe kryetarit të Komunës së Tivarit.