Marcelo: Gazetarët janë xhelozë ndaj nesh, përpiqen të na lëndojnë

Marcelo fajësoi mediat, që shkruajnë për një krizë të Real Madridit, pas një nisjeje të ngadaltë të sezonit nën drejtimin e Julen Lopetegui. E ardhmja e trajnerit në “Santiago Bernabeu” është në rrezik, pas një periudhe prej pesë ndeshjesh pa fitore, megjithëse suksesi 2-1 i Ligës së Kampionëve, të martën, ndaj Viktoria Plzen, ofroi pak qetësi për gjigandët e La Liga-s.

Real Madridi u ngjit në kuotën e 6 pikëve, sa ka edhe Roma, në krye të Grupit G të Champions-it, pas fitores së së martës, por gjendet katër pikë prapa liderit të La Liga-s. Dhe pozita e ish-trajnerit të Spanjës besohet të jetë në dyshim. Sidoqoftë, mbrojtësi brazilian ishte i shpejtë për ta konfirmuar besimin e tij dhe të shokëve të skuadrës karshi Lopetegui.

“Është e vështirë kur nuk fitoni, por ju flisni për një krizë, sepse doni ta lëndoni këtë skuadër, – tha Marcelo, i cili shënoi në fitoren e mbrëmshme. – Të gjithë ju, gazetarët, përpiqeni të na lëndoni. Ndoshta kjo vjen nga zilia, sepse nuk dini të luani futboll”.

Braziliani, gjithashtu, deklaroi mbështetjen e fuqishme ndaj trajnerit të tij, duke thënë: “Sipas mendimit tim, ai është duke bërë një punë të shkëlqyeshme”. 30-vjeçari pakësoi frikën se ai do të mungonte në përballjen e së dielës me rivalët e Barcelonës: “Ndihem mirë tani, kam marrë një goditje gjatë lojës, por gjyqtarët duhet t’i shohin këto gjëra”.