Receta e ditës/ Krostatë me dardhë dhe bajame

Përbërësit për tavë 33×10 ose me diametër 28cm:

Brumë brisèe gati ose e përgatisim si më poshtë:

Përbërësit:

250g miell

100g gjalp i butë

70ml qumësht në temperaturë ambienti

1 majë luge kripë

1 lugë kafeje sheqer pluhur

 

Për kremin:

6 lugë gjelle marmelatë kajsie ose pjeshke (pa copa)

125g gjalpë në temperaturë ambienti

125g sheqer

2 vezë

1 lugë gjelle miell

1 lugë kafeje sodë për ëmbëlsira

125g miell bajamesh (bajame të grira imët)

2 dardha të pjekura por të forta, me bisht

 

Përgatitja:

Përgatisim brumin: Përziejmë me dorë ose në robot miellin, sheqerin, kripën dhe gjalpin sa të bëhen si thërrime, shtojmë qumështin dhe vazhdojmë t’i përziejmë akoma deri sa të kemi nje brumë të butë.

E mbështjellim me letër plastike dhe e fusim në frigorifer për 15 minuta.

Ndezim furrën me 180˚. Lyejmë tavën me gjalpë dhe miell, marrim brumin dhe e hapim duke i dhënë formën e tavës që do të përdorim.

E shpojmë me pirun dhe e fusim në furrë të piqet për 15 minuta.

Ndërkohë, dardhët i qërojmë dhe i ndajmë në mes duke i pastruar bërthamat e vogla, i presim në feta pa i shkëputur nga bishti.

Marrim bazën e pjekur nga furra, e lyejmë me 2 lugë nga marmelata. Marmelaten tjetër e lëmë mënjanë.

Gjalpin dhe sheqerin i përziejmë në një tas me rrahësen e vezëve me dorë sa të bëhen si krem. Shtojmë vezët një nga një dhe vazhdojmë akoma përzierjen me rrahësen. Shtojmë miellin dhe sodën nëpërmjet një site dhe bajamet e grira. Këtë përzierje e hedhim me lugë te baza e krostatës dhe e nivelojmë mirë.

Transferojmë këtu me kujdes dardhat që të mos na shkëputen nga bishti (ndihmohemi me një lopatë kuzhine).

Vëmë krostatën në furrë përsëri dhe e pjekim për 40-50 minuta. Bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh e cila duhet të dalë e pastër.

Marmelatën që kishim lënë mënjanë e hollojmë me 2-3 lugë ujë dhe e ngrohim në zjarr, e kullojmë me sitë dhe krostatën e lyejmë sipër me ndihmen e një peneli kur ajo është akoma e nxehtë.

Krostata shërbehet e vakët.