Izraeli apo Shqipëria, cila skuadër kushton më shtrenjtë?

Kombëtarja do të luajë mbrëmjen e sotme ndeshjen e radhës në Ligën e Kombeve, pikërisht ndeshjen e kthimit ndaj Izraelit. Sfida do të luhet në Beer Sheva, aty ku të besuarit e trajnerit Christian Panucci do të kërkojnë të mos dalin pa pikë. Ambiciet janë të mëdha, tre pikët janë objektiv kryesor, mirëpo skuadra vendase ka po ashtu të njëjtin objektiv.

Situata në Grupin 1, në Ligën C është pak e komplikuar, pasi Skocia, Izraeli dhe Shqipëria kanë nga tre pikë, ndaj kalimi i grupit vështirësohet për të treja skuadra. Kjo do të jetë përballja e katërt kundër Izraelit për kombëtaren tonë, dhe e dyta për Ligën e Kombeve. Sa i përket statistikave jemi në avantazh të lehtë, pasi kemi fituar dy takimet e mëparshme dhe kemi humbur një.

Kujtojmë këtu që ndeshjen e parë  e kemi humbur në Elbasan më 12 nëntor 2016 me rezultatin 0-3, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës. Sakaq ndeshjen e kthimit për të njëjtin kompeticion, e fituam në Izrael me rezultatin 3-0, një vit më parë. Në muajin shtator të këtij viti kur dhe nisën ndeshjet në grupe të Ligës së Kombeve, kombëtarja jonë luajti ndeshjen e parë kundër Izraelit, të cilën e fitoi me rezultatin 1-0, duke marr tre pikët e para në grup.

Sot Christian Panucci dhe të besuarit e tij do të kërkojnë të përsërisin të njëjtën ndeshje, edhe pse asgjë sdo të jetë e lehtë. Izraeli ka një skuadër kompakte, ku pika më e fortë në ekip është shpirti i garës por edhe talenti. Sulmi është gjithashtu një nga hallkat më të rëndësishme të skuadrës së drejtuar nga Andreas Herzog, me Erhan Zahavin, që është ylli i skuadrës.

Parë në shifra financiare, Izraeli kuotohet në vlerën e 48 mln Euro, të paktën sipas faqes së specializuar për transferime, “Transfermarkt”. Ndërkohë Shqipëria ka një vlerë më të lartë, me rreth 68 mln Euro, po sipas kësaj faqje. Por shifrat nuk janë të rëndësishme në të tilla raste, pasi në fushë e lojës këto vlera mund të jenë të papërfillshme në rastet kur dëshira për të fituar mungon.

Mungesa e tifozëve, mungesat e disa lojtarëve në skuadër, presioni dhe mungesa e ecurisë, janë disa nga faktorët jo pozitiv në këtë ndeshje për ekipin tonë kombëtar. Por nga ana tjetër, dëshira për të ndryshuar dhe mundësia për të fituar një biletë për në Europian nga Liga e Kombeve, të bën të besosh se Izraeli nuk është një kundërshtar i pakalueshëm në shtëpi, për më tepër që historia flet në favorin tonë në këtë ndeshje./Telesport