Tufalakim poetik nga Qazim Shehu

 

NJË BRENGË

Një brengë e fortë seç më bren,

Udhëhumbur jam ,në jerm,

Fillikat  bohem.

Xhevahiret që shkëlqejnë

Qoftë tek një femër,mendimtar,

Njeriun e vogël më shkërbejnë

Që ngrihet guximtar.

Në sa tribuna, manifeste

Në sa  vakësira, gjeste,

Dhe çdo mendimi i vë

Të veten feste…

 

BARKU I KOHËS

Koha mbushet dëng me hipokrizi

Siç, mullari mbushet me bar.

Dhe mund ta hapësh barkun e tij

Për t`u strehuar  nga shiu në behar.

Po barkun e kohës si mund ta hapësh

Me kopilimin e keq të tradhtisë së saj,

Më mirë të  kërkosh që ajo mos lindë,

Se po lindi, lind këlyshë dhe zagarë…

 

NË MAJË TË VËSHTRIMIT

Në majë të vështrimit  si në një shkop

Ku ngremë mundësinë për të kapur një kokërr mollë,

Befas ngrita sot  një dëshirë që s`më ngop

Të kap me të një re të hollë.

Dhe ta afroj pranë vetes e ta pyes

Pse aq në qiell është holluar,

Kur dje ishte e ndërdyzët

Me një tufë resh etjeqorruar.

Por sakaq ishte shkrirë krejt

Kish mbetur sa një cipë qepe,

Dhe si të qe ajo,vështrimi uli shkopin e tij

U përplas në kokën time;

Dhe në sy më çoi një të qarë djegëse…

 

FJALËT

Fjalët kanë ftohtë

Fjalët ndizen në ftohtësi.

Shpirti kur ndjen ngrohtë

Mban për vete

Të madhen dashuri.

Tek bërthamë e tyre nuk ço

Asnjë injektim

Dhe kur u duhet,ato ikin

Pa kthim…

 

KLITHMA

Sapo gjahtari çiften ngrehu

Një klithmë rose  iu përplas në vesh,

Dhe shtiu ,me barot ngjeu

Liqenin  e thyer në pasqyrë  në rrebesh.

Trupi i rosës ra mbi kallamishtë

Zagarët vrapuan dhe ia sollën,

Po klithma,ku shkoi ajo klithmë

Pse saçmet s`e asgjësuan të gjorën?

S`qe veç vegim dhe u drodh i tëri

Me rosën në strajcë,

Veç afër muzgut hëngri

Nga klithma një dackë…

 

SHËMTIA

Edhe pse themi se jemi të bukur

Shëmtia del nga ne,

Demonin e saj shkundim

Dhe hapat s`ia vemë re.

Ajo veç gjithnjë na bind

Se s`mund të ekzistojë pa ne

Se kur një fëmijë lind

Të parët seksin i vemë re…