Reformat ekonomike që nuk rritin mirqënjen janë pseudoreforma

( …ligjet për reformimin e ekonomisë, më shumë i kanë shërbyer pasurimit të oligarkëve e pushtetarëve se sa rritjes së konsumit e mirqënjes së qytetarëve . )

Nga Nikë Neçaj – Tiranë

Në pranverën e vitit 1993, në një takim me disa specialistë te profesioneve te ndrysheme, i ndjeri Pjeter Arbnori, tha:“ … druaj se veshtersite ekonomike do te na shoqerojnë edhe per 17 – 18 vjet…” Pjesmarrësit u merziten, pasi ju duk shumë. Funksionarët e tjerë të asaj kohe kishin premtuar se veshtersite do kalonin per 5 – 6 vjet. Arbnori, me atë urtësinë dhe ironinë e tij karakteristike, zhgënimit ju përgjigj : “ Ndoshta do të mjaftojnë pak më pak se ju thashë unë e ca më shumë se ju kanë thënë të tjërët…”
Nga ajo kohë kanë kaluar mbi 25 vjet..Nuk është faji i tij zgjatja e tranzicionit.Zhgënjimi vazhdon. Edhe pse Prodhimi i Pergjithshëm nga atëherë është shtuar disa herë, vështërsitë ekonomike janë shumë prezente në jo pak njerëz e familje.
Mbi 41 % e popullsisë jeton në varfëri.
Rreth 1,5 % e popullsisë është në varfëri ekstreme.
Mbi 370 mijë banorë jetojnë me më pak se 390 lek në ditë. ( Shifrat janë të Bankës Botërore ).
Edhe pas reformës në ndihmën ekonomike, ajo mbetet shumë e ultë.
Atë e përfitojnë rreth 75 mijë familje. Ka ndodhë rëndom që të ju hiqet ndihma me qindra familjeve që nuk kanë as 230 lek për frymë në ditë, pasi na paskan televizor e frigorifer! Justifikimi ka qënë gjithnjë me mundësitë e pakta të buxhetit.
Të gjitha qeveritë e 25 viteve të tranzicionit kanë mbledhur në buxhetin vjetor më pak se 27 % të produktit të përgjithshëm, kur vendet e BE mbledhin 45 % të tij.
Kjo diferencë afërsisht përbën shifrën prej 1,5 miliard euro në vit, sasi kjo që do të mjaftonte për uljen drastike të varfërisë, rritjen e pensioneve, pagave të ulta, subvencionimin e disa sektorëve të rëndësishëm ekonomik e kryerjen e investimeve të domosdoshëme publike.
Në këtë fushë reformimi ka munguar. Ndonëse me barrë fiskale afersisht sa vendet e rajonit,mbledhim në buxhet , për frymë të popullsisë, më pak se ato.
Deri më sot nuk ka një evidencë në duartë e asnjë qeverie ku të jenë të ndarë sipas bashkive e qarqeve sa familje janë pa shtëpi, sa janë që nuk mund të blejnë librat e fëmijëve, sa banorë jetojnë me 230, me 300, me 400, e sa me 500 lek në ditë. Të mos jeshë i informuar do të thotë të mos drejtosh.
Ndaj sot jemi në 3 – 4 vendet e para të botës me numërin më të madh të mërgimtarëve për 1000 shtetas e prirje për tu rritur ky numër. Në gjykimin tim, masat që janë marrë në fushën e ekonomisë kanë qënë të pamenduara, të mbështetura mbi ekspertizë të pa saktë e të pa provuar.
Përvoja më pozitive e reformave në fushën e ekonomisë mund të ishte ajo e vendeve të Evropës Qëndrore e Lindore, të cilat kishin provuar sistemin tonë.Pushtetarët e rinj nuk morën këtë përvojë të gatëshme, të frikësuar nga e kaluara socialiste që kishim patur !!! Ata u konsultuan me disa konsulent të huaj që nuk e nihnin ekonominë tonë, problemet e saj dhe mendësitë tona.
Fenomene të tilla si ; zaptimi i objekteve e pronave shteterore,demtimi i atyre që quheshin fabrika,prerja e pemeve frutore,zënja e tokave bujqësore me ndërtime të paligjëshme, etje u bënë gjë e zakonshme. Prona e përbashkët u kthye në mall pa zot ku çakejt u vërsulën.Ata që kurrë nuk kishin qënë pronar, me vendime gjykatash, pa dokumenta, pa fakte , pa tapi të asnjë periudhe u bënë larifondistë e pronarë trojesh.Përfitues ishin e janë dallkaukët e njerëzit e afërt me pushtetin e radhës.
Disa ligje që u miratuan në funksion të ekonomisë nuk i shërbyen qëllimit të mire, pasi ato ishin të këqia.Kështu ligji 7501 për ndarjen e tokës solli asgjë më shumë se sa shpërdorimin e saj si baza e prodhimit.
Ligji i privatizimit e ai i kthimit e kompensimit të pronave, ishin me të meta esenciale.Pronarët u joshën me shifra marramendëse jo të korektuara me vlerën e tregut në miomëntin e deklarimit të detyrimit.
Kështu shteti mori për sipër një barrë më të rëndë se duhet të merrte. Nuk u mbështet prodhimi vendas, përkundrazi ai u godit sidomos në bujqësi, me importet nga jashtë. Nuk u mbështetën degë të veçanta si turizmi, bujqësia, agropërpunimi etje.
Për periudhën 1993 deri në vitin 2015 çdo vit buxheti i shtetit ka paguar për pushime të pajustifikuara nga puna mesatarisht 28 -30 milion euro, kur për këtë periudhë subvencioni i subjekteve prodhuese ka qënë mesatarisht më pak se 30 milion euro, kur mesatarisht çdo vit shpërdorimet nga administrate e larte shteterore, sipas raporteve te Kontrollit te Lartet e Shtetit, ka qene 340 milion euro. Me reformimin e pensioneve, buxheti nuk pati përfitim, përkundrazi shpenzimet e tij për pensionet suplementare të nëpunësve e funksionarëve të lartë janë gati 45 milion euro në vit, më shumë se kontributet e mbledhura nga siguracioni suplementar !!
Defiçiti i skemes në total është mbi 400 milion euro. Nuk është normale që një deputet apo nëpunës i lartë merr nga shteti sa paga neto e 28 fasonistëve e kur del në pension merr pension më të madh se ndihma ekonomike e 20 familjeve me 87 antarë !
Po administratat ? Vetëm 1100 nëpunës të lartë, sipas deklarimeve të bëra në ILDKP kanë një pasuri prej 3,9 miliard euro.Këta janë vetëm të një radhë pushteti.Po ata të radhëve të tjera ( dy seri ) ? Me siguri ata, edhe pse tani duke mos qënë në funksione nuk kanë detyrim deklarimin,kanë po aq pasuri.
Në se të gjithë prokurorët e gjyqtarët e vendit kanë mesatarisht pasuri aq sa mesatarja e 58 të vetinguarve të parë, pasuria e tyre arrin në mbi 2,1 miliard euro.
Po t’i shtojmë dhe pasuritë e deklaruara nga deputetët,ministrant,drejtorat e shefat e lartë që emrohen nga Kuvendi e Qeveria që nga viti 1993 e në vazhdim, shifra arrin në 29 miliard euro,afersisht sa buxheti i 10 viteve e GDP e gati 3 viteve !!!
Janë këta që kanë projektuar e zbatuar reformat në ekonomi!!! Kurse për biznesin,mjaftojnë dy shembuj: Në 100 kompanitë më të mëdha që veprojnë në vendin tone, vetëm 16 prej tyre prodhojnë.Pjesa tjetër janë kompani ndërtimi, tregtie e shërbimi. Këto janë gjithnjë afër pushtetit të radhës.Ato kanë një xhiro vjetore ( qarkullim vlerash ) prej mbi 13,5 miliard euro, ose 1,2 herë më shumë se Produkti i Përgjithshëm.Në vendet e Europës Qëndrore e Lindore , mbi 60 % e kompanive të mëdha janë kompani prodhuese.
Në 60 shoqëritë më të pasura të vendit, 38 prej tyre janë bërë të tilla pa patur asnjë punishte prodhimi,asnjë dyqan apo kjoskë shitje.
Pra janë bërë të tilla me tendera nga pushtetarët e me leje ndertimi kullash e pallatesh . Për rrjedhojë të këtyre politikave rritja ekonomike në mbi 95 % të saj, në vlerë absolute, ka shkuar tëk më pak se 1 % e popullsisë ( kompanitë e shoqëritë e mëdha dhe pushtetarët e të gjitha niveleve).
Polarizimi social është më i thelli në rajonin tonë. Kjo është dëshmia që ligjet për reformimin e ekonomisë, më shumë i kanë shërbyer pasurimit të oligarkëve e pushtetarëve se sa rritjes së konsumit e mirqënjes së qytetarëve.
Pa reforma te thella drastike që korigjojnë gabimet e bëra, vështirë se do kemi investitor serioz, vështirë se do kemi rritje ekonomike që vjen nga prodhimi.
Vetëm rritja ekonomike që vjen nga prodhimi e eksporti shkon në favorin e të varfërve.Reformat e thella duhet të sigurojnë mbrojtjen e shtresës së varfër dhe jo kostoja e tyre të bjerë mbi ata , siç ka ndodhur deri më sot.