Raporti Ekonomik Rajonal i Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor. Si vlerësohet Shqipëria?

Banka Botërore tha sot në Tiranë se gjysma e rritjes ekonomike të Shqipërisë për gjysmën e parë të vitit prej 4 për qind erdhi vetëm nga prodhimi i energjisë elektrike.

Në një raport ekonomik rajonal, që publikoi sot, Banka Botërore tha se borxhi publik i Shqipërisë vazhdon të mbetet i lartë, ndërsa investimet e huaja direkte po bien.

Banka Botërore parashikoi sot një rritje 4 për qind për ekonominë e Shqipërisë pas rritjes së prodhimit të energjisë elektrike prej rreshjeve të shumta dhe një sezoni pozitiv në turizëm.

Vlerësimet janë pjesë e raportit ekonomik rajonal për vendet e Ballkanit perëndimor.

Sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike shtoi vendet e reja të punës dhe uli varfërinë.

Pas kësaj, Banka pret të ulen borxhi publik dhe deficiti fiskal primar, ndaj vlerësoi se konsolidimi fiskal, rritja e efikasitetit të shpenzimeve publike dhe reformat strukturore vijojnë të jenë me rëndësi të madhe për një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe të barabartë.

Prodhimi i energjisë elektrike u dyfishua në gjysmën e parë të vitit 2018, ndërsa rritja e turizmit, punësimi, pagave dhe kredive po nxisin konsumin privat.

Punësimi u rrit me 4 për qind në gjysmën e parë të vitit, kryesisht në shërbime dhe industri.

Shkalla e papunësisë ra në 12.4 përqind të forcës së punës.

Por investimet private po ngadalësohen me përfundimin e dy projekteve të mëdha energjitike TAP dhe Devolli, të financuara nga investimet e huaja direkte.

Banka Botërore tha se borxhi publik pritet të bjerë në 69.5 për qind e PBB-së sivjet, nga 71.6 përqind e PBB-së në 2017, ndërsa deficiti fiskal i Shqipërisë parashikohet të mbetet në 2 përqind të PBB-së.

Një tjetër burim të ardhurash janë remitancat e parave nga emigrantët që pritet të arrijnë në mbi 6 për qind, për shkak të përmirësimit të gjendjes në BE.

Banka një rritje pritet edhe në kreditimet bankare për shkak se sistemi bankar është likuid, i mirë-kapitalizuar dhe po pastron kreditë me probleme.