Mustaf Sali Elezi i ngriti vetes një fron të artë

Nga Sami Metalija – Tiranë

Sot u nda nga jeta axha jonë i dashur Mustaf Sali Elezi (Metalija).

 Me ndarjen e tij fizike nga kjo jetë shuhet brezi i fëmijëve të Sali Jah Metalija (Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar për ne e të njohurit e shumtë ) .

Jeta e lalës Mustaf i përngjet një vullkani që me forcën e shkëlqimin e tij të bënë të mendohesh e të krenohesh njëkohësisht.

Karakteri i tij i paepur , trimëria, drejtësia, burrëria, mençuria, krenarria e mbi të gjitha  Atdhedashuria ishin virtyte që lalen Mustaf e udhëhoqën gjatë gjithë jetës së tij të vrullshme.

 Fjala ishte arma më e çmuar e tij. Ajo ishte e veçantë, e mençur, e drejtpërdrejtë, e rrjedhëshme, i ngjante gurgullimës e vrullit të Valbonës, buzë së cilës ai u rritë e u edukue me dashurinë për Dragobinë e për vendin e tij.

Fjala e tij ka peshën e randësisë të bjeshkëve të Malësisë së Gjakovës.

I respektuar nga gjithë Diaspora atdhetare, që me trimëri e krenari luftoi me të gjitha mënyrat që kishin në dispozicjon rregjimin gjakatar Enverjan.

Ai vuante që ishte i detyruar të jetonte larg vendlindjes së tij, larg Atdheut të cilën e donte me gjithë shpirtë:

 

Natën të shoh n’ andërr ,

ditën të kujtoi.

Atdheu im i dashur ,

shumë të deshëroi…

Dhe Mustafa betohet:

 

Mëmëdhe i dashur,

fjalën po t’a jap

Kur t’fitoj liria,

Do të kthehem prap

E Mustafa e mbajti betimin. Lala Mustaf që nga 1991 çdo vit erdhi dhe jetoj në Shqipëri mes farefisit, shkoi në vendlindjen e tij në Dragobi, u flladit në ujët kristal të Valbonës, çmallej, hidhte vështrimin drejt bjeshkëve të bukura që rrethojnë Dragobinë, e sytë e tij merrnin një ngjyrim vezullues .

Vdekja e axhës tonë të dashur Mustaf Sali Elezi (Metalija) ashtë një humbje e madhe jo vetëm për farefisin e Jahelezëve, por për gjithë shoqërinë.

Lala Mustaf me jetën e veprën e tij u ba i pavdekshëm, i ngriti vetes një fron të artë.Jeta dhe vepra e tij e bëri të paharrueshëm.Lala Mustaf do të jetë gjithmonë mes nesh. Ai u bë i pavdekshëm.

Lala Mustaf e kreu detyrën e tij fisnike kundrejt Atdheut tij të dashur. Tani i takon Atdheut tij të mos i harrojë Mustafën me shokë. Pa njerëz s’ka ngjarje.

I lehtë qoftë pesha e dheut mbi trupin e tij!

Kujtimi dhe vepra e lalës Mustaf do të jetë i pavdekshëm.

Lamtumirë, Lala Mustaf…!

 

1 tetor 2018