Çmimi Nobel për mjekësinë për një amerikan e japonez

Çmimi Nobel për Mjekësi iu dha amerikanit James P. Allison dhe japonezit, Tasuku Honjo. Ata kryen zbulime të rëndësishme në fushën e imunologjisë në luftë kundër kancerit.

Të dy shkencëtarët ia kanë dalë të vendosin një gurthemeli të ri në luftën kundër sëmundjes së kancerit, deklaroi juria e Çmimit Nobel në Stokholm të hënën (01.10). James P. Allison dhe Tasuku Honjo kanë bërë zbulime inovative, se si mund të përdoret sistemi imunitar i njeriut për të luftuar qelizat kanceroze. Prej kohësh të dy kandidatët njihen si shkencëtarë në fushën e mjekësisë dhe konsideroheshin si pretendentë për Çmimin Nobel.

Terapia e imunitetit është një trend i viteve të fundit në fushën e mjekësisë. Synimi i saj është që të aktivizojë sistemin imunitar të njeriut për të luftuar qelizat malinje, pra në momentin që qelizat mbrojtëse të sistemit imunitar, (qelizat T) i identifikojnë qelizat tumorale në trup, atëherë ato fillojnë t’i luftojnë ato. Problemi ishte se ishte e vështirë për sistemin imunitar t’i dallonte këto qeliza. Pikërisht kësaj ia dolën dy shkencëtarët, Allison dhe Honjo – ata zhvilluan një metodë, që i bën të “dukshme” qelizat kanceroze për sistemin imunitar.