Shqipëria, ndër vendet me respektin më të ulët për të moshuarit

1 Tetori shënoi Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve, të cilët njësoj si fëmijët kanë nevojë për kujdes dhe vëmendje. Mirëpo, sipas studimit të kryer nga ORB Media, Shqipëria rezulton ndër vendet me respektin më të ulët ndaj moshës së tretë.

Sipas studimit, në të cilin janë marrë në shqyrtim rreth 101 ekonomi në mbarë globin, rezulton se niveli mesatar i respektit që kanë shqiptarët për moshën e tretë është 3.04, shumë më ulët se mesatarja botërore, duke lënë pas vetëm Ukrainën dhe Korenë e Jugut në renditje. Në vendet ku respekti ndaj të moshuarve është i ulët, sipas kërkimit, të moshuarit janë të konsideruar si barrë e shoqërisë dhe familjes. Ndërsa studimi shton se sa më i ulët të jetë respekti ndaj të moshuarve, aq më të larta janë gjasat për varfëri dhe jetëgjatësi të shkurtër të një populli.

Kërkimi dhe raportimi nga organizata botërore ORB Media ka treguar një lidhje të fortë midis mënyrën si e shikojmë moshën e tretë me jetëgjatësinë. Individët me një qasje pozitive ndaj moshës së tretë kanë gjasa që të jetojnë më gjatë dhe me shëndet më të mirë se sa ata që kanë një qasje negative përkundrejt tyre. Të moshuar në vendet me nivel të ulët të respektit për moshat e thyera rrezikojnë të kenë një shëndet mendor dhe fizik më të dobët dhe varfëri më të theksuar, krahasuar me vendet e tjera, shkruhet në raportin e ORB Media. Një ndryshim në sjellje mund të ndryshojë çdo gjë.

Është e habitshme që në një botë me një numër të konsiderueshëm të moshuarish, qasjet negative ndaj moshës së tretë janë diçka e zakonshme. Një analizë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka dalë në përfundimin se 60% e njerëzve të anketuar në 57 shtete kanë një panoramë negative për moshën e tretë. Të moshuarit shikohen si më pak të zotët dhe më pak të aftë se të rinjtë. Ata janë të konsideruar si barrë e shoqërisë dhe e familjes, në vend që të njihen për njohuritë e tyre të vlefshme, zgjuarsinë dhe përvojën.

Çdo anketues ka pyetur të intervistuarit në lidhje me respektin e shoqërisë ku ata janë pjesë ndaj të moshuarve. Të intervistuarit kanë klasifikuar nivelin e respektit me një shkallë nga 1 (shumë e ulët) në 5 (shumë e lartë). Të gjithë anketat janë mbledhur mbi bazë të informacionit socio-demografik, siç është mosha e të intervistuarit.

Në total, analiza e ORB Media ka marrë në shqyrtim përgjigjet nga 101 shtete, me një numër të intervistuarish prej 150 mijë e 428 personash. Media ka zgjedhur që të mos raportojë nivelin e respektit për ato shtete ku kampioni nuk ka qenë mjaftueshëm përfaqësues.

Duke përdorur një shkallë nga 1 (respekt shumë i ulët) në 5 (respekt shumë i lartë), mesatarja botërore e nivelit të respektit ka rezultuar 3.75.