Ahmeti: Rruga drejt Evropës nëpërmjet Marrëveshjes së Ohrit

Të gjitha partitë politike në vend e pranojnë se rruga drejt Evropës kalon nëpërmjet Marrëveshjes së Ohrit dhe ligjeve që dalin nga kjo marrëveshje. Tash ka mbetur pjesa e fundit, Ligji i gjuhëve dhe zgjidhja e çështjes së emrit, konkretisht referendumi, ka thënë në intervistë për TV24 lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

“Dhe, sigurisht se ka edhe figura nga opozita, duke përfshirë këtu edhe profesorë… që thonë se Ligji i gjuhëve është kundër-kushtetues. Por, ka edhe profesorë tjerë që thonë se ky Ligj i gjuhëve është brenda kornizës kushtetuese. Deklarimet ‘pro’ dhe ‘kundër’ nuk do ndalen kurrë. Por, me rëndësi është që ne të ecim përpara, duke sjellë ligje konform standardeve evropiane. Kështu që, nuk janë të vërteta edhe zërat se ne, kushtëzojmë referendumin me gjuhën shqipe”, është shprehur Ahmeti.
Agjenda e BDI-së, ka thënë Ahmeti, është implementimi i tërësishëm i Marrëveshjes së Ohrit, anëtarësimi në NATO dhe BE.

“Të zbatosh këtë marrëveshje, të instalosh në vend të drejtat dhe liritë e qytetarëve… këto janë reale për një shtet demokratik”, ka thënë Ahmeti.