Zgjedhjet e mesit të mandatit vijnë me një sfond të ndryshëm politik

Mbështetësit e kandidatit demokrat Danny O’Connor brohorasin rezultatet e zgjedhjes së posaçme për Kongresin, në distriktin 12 të shtetit Ohio, më 7 gusht 2018

Mbështetësit e kandidatit demokrat Danny O’Connor brohorasin rezultatet e zgjedhjes së posaçme për Kongresin, në distriktin 12 të shtetit Ohio, më 7 gusht 2018

Pas tre muajsh, votuesit amerikanë do të marrin pjesë në zgjedhjet e mesit të mandatit për në Kongres, të cilat mund të ndryshojnë ecurinë e presidencës Trump. Siç njofton nga Uashingtoni korrespondenti Jim Malone, rezultatet nga zgjedhjet më të fundit paraprake dhe ato të posaçme, paraqesin një sfond politik me demokratët që kanë fituar energji të reja dhe me mbështetës të përkushtuar të zotit Trump, si dhe ndjesinë se vendi i polarizuar po shkon drejt një përballjeje madhore politike në nëntor.

Përpara Shtëpisë së Bardhë, kundërshtarët e zotit Trump, ndër ta edhe komediania Rosie O’Donnell, mblidhen në një aktivitet që është njëkohësisht protestë dhe shfaqje artistike.

“Bëjini të ditur me qartësi presidentit se jemi gjallë dhe syhapur. Ne nuk largohemi”, u tha njerëzve zonja O’Donnell.

Rezultatet e zgjedhjeve të fundit paraprake dhe ato të posaçme tregojnë se demokratët po mobilizohen për nëntorin me një mesazh të spikatur anti-Trump.

“Njerëzit po ngrihen, po luftojnë dhe do ta transformojnë së bashku politikisht dhe ekonomikisht këtë vend”, deklaron Senatori Bernie Sanders.

Në emër të republikanëve, Presidenti Donald Trump po zhvillon një përpjekje agresive elektorale, me shpresën e balancimit të parashikimeve për një fitoreje të demokratëve.

“Amerika po respektohet sërish dhe Amerika po fiton sërish, pasi kemi vendosur Amerikën të parën”, shprehet Presidenti Trump.

Ky mesazh pritet mirë nga baza e zotit Trump.

“Ambasada amerikane u vendos në Jeruzalem dhe pengjet janë kthyer nga Koreja e Veriut. Këto janë gjërat që kanë ndodhur nën udhëheqjen e presidentit”, u thotë mbështetësve Ligjvënësi republikan Jim Jordan.

Por, në këto zgjedhje të mesit të mandatit, zoti Trump dhe republikanët do të kenë një betejë të vështirë.

“Do të mobilizojnë një pjesë të votuesve të tyre. Por, mendoj se do të jetë e vështirë t’ia kalojnë entuziazmit të palës demokrate. Pra, ka shanse që demokratët të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ose të paktën do të fitojnë një numër vendesh”, thotë John Fortier, i Qendrës për Politikat Dypartiake.

Megjithëse zoti Trump mund t’i ndihmojë disa kandidatë republikanë, ekziston edhe rreziku që ai mund të motivojë demokratët.

“Në shumë gara elektorale, efekti i Presidentit ka gjasa të dëmtojë, më shumë se të ndihmojë kandidatët republikanë, prandaj është mirë që të mendojë me kujdes se në cilat shtete duhet të shfaqet dhe në cilat jo”, thotë John Hudak, i Institutit Brookings.

Ndërkohë që anketimet tregojnë se klasa punëtore vazhdon të mbështesë më shumë Presidentin Trump, shumë votuese femra dhe votuesit nga zonat periferike ka gjasa t’u largohen republikanëve.

“Është e qartë se shumë votues me arsim të lartë dhe me të ardhura, kanë ndjenja të forta negative për Donald Trumpin dhe Partinë Republikane. Ata mezi presin të votojnë”, thotë Michael Barone, i Institutit Amerikan të Sipërmarrjes.

Po bëhet gjithnjë më e dukshme se aktivistët e të dyja palëve i shikojnë zgjedhjet e mesit të mandatit si një referendum kombëtar për presidencën Trump.