Skënderbeu fiton Superkupën e Shqipërisë


Skënderbeu e nisi sezonin e ri me trofe, duke fituar Superkupën e Shqipërisë.

Skuadra korçare nuk zhgënjeu përballë Laçit të dielën në “Selman Stërmasi” edhe pse disa nga titullarët e sezonit të kaluar janë larguar nga ekipi pas dënimit të UEFA-s.

Një finale e fituar me përmbysje 3 – 2 ajo e Skënderbeut në debutimin e Orges Shehit si trajner. Skuadra korçare edhe pse pati më shumë raste gjatë pjesës së parë nuk arriti të shënonte.

Me fillimin e pjesës së dytë ishte ekipi kurbinas që realizoi i pari me Lushkjen në minutën e 48’. Revanshi i Skënderbeut nisi në të 54’ me Alitin. Muzaka kaloi në avantazh kampionët me 11-metërsh. Bregu e bëri më të sigurt fitoren duke shënuar golin e tretë për Skënderbeun dhe të parin me këtë fanellë.

Xhixha vetëm sa zgjoi më kot shpresat e Laçit me golin e realizuar në minutën e 84’, pasi fitorja mbeti e Skënderbeut që mori për herën e tretë Superkupën e Shqipërisë. Fundjavën e ardhshme do të jetë radha e Superligës që të zhvillojë javën e parë.