Elegji për mikun tim Nexhat Pilku

Nga Mal Berisha – Kosovë

Nexhat Pilku ndërroi jetë në New York duke lënë pas trashëgiminë e një burri të nderuar shqiptar në plotkuptimin e fjalës.
Me Nexhat Pilkun na bashkonin ndjenjat e larta miqësore, dashuria për atdheun, idealet demokratike, marrëdhënjet e mrekullueshme familjare. Vitet e punës në Turqi (1992-1997) kur Nexhat Beu ishte Sekretar i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Republikën Turke në Ankara ndërsa ne në Stamboll, mbartin kujtimet më të mira e më të bukura. Nexhat Beu ishte një mik i mirë, një këshilltar i urtë, një intelektual i ditur, një patriot i madh, një prind shembullor. Nga e ëma ai rridhte nga familja e madhe e Dërrallajve, me kontribut aq të madh në çështjen tonë kombëtare, themelues të shtetit shqiptar. Paraardhësi i tij, Mehmet Pashë Derralla, i njohur si Kallkandeleni, emër i vënë nga turqit për Tetovën, ishte Ministri i Parë i luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit. Për ne ka qenë një nder i madh që e përfaqësuam Shqipërinë përkrah një njeriu si Nexhat Pilku i cili mbart’te vlerat më të mira atdhetare të ndonjë shqiptari që kemi njohur ndonjëherë.
Ai rriti dy djem si drita, të zgjuar e të zotët dhe la mbrapa një familje të mrekullueshme, një zonjë si Mirvjena, edukatore e njohur në kryeqytet, e cila meriton çdo respekt, si dhe nipa dhe mbesa bukurosha.
I paharruar qoftë kujtimi i tij! U prehsh në Paqë i dashur Mik! Ngushëllime familjes dhe tërë të dashurve!