Aleks, mos shko më tutje

Nga Sulejman Mato – Tiranë

-Aleks, mos shko më tutje! Do të të vrasin.
Në çast Hëna që e dëgjoi thirrjen e tij,nxorri kokën nga një re e bardhë , shkëlqimtare dhe e brengosur.Ishte dita e 24 dhjetorit.Të nesërmen ishte festa e krishtlindjeve e cila festohej jo vetëm në gjithw Greqinë, por edhe në burgun e Korifalosë të cilin e kishin lenë para dy ditësh.Dritat e shtëpive të fshatit kufitar atë mbrëmje qëndronin ndezur .Dy djemtë mirditorë kishin dy ditë që vërtiteshin pranë kufirit shqiptar.
Djali tjetër nga Bulshari i Mirëditës që quhej Mark,kur pa Hënën që nxorri kokën nga retë nuk guxoi të bënte asnjë hap më tutje .Ca nga lodhja, ca nga tmerri i gjithë atyre ditëve dhe ca nga të ftohtit e mbrëmjes i ishte mpirë gi gjithë trupi.Djersa në trup i ishte tharë por këpucët i ishin mbushur me ujë.Aleksi më i imët nga trupi dhe dy tri vjet më i vogël se Marku kishte një gjendje alarmi, ndërsa Marku, pak më i gjatë se ai,tepër i heshtur e me tipare më burrërore, dukej sikur e priste fundin me një heshtje të shurdhër.Lehjet e largëta të qenve të policisë i jepnim fare pak siguri për të besuar se dhe ajo pak rrugë që u kishte mbetur, për të kaluar një fushë me gjëmbaçë e të ngjiteshin tek kodra ku i priste toka kufitare nuk do të shkelej kurrë. Jo më shumë se pesëqind metra nga vendi ku ishin fshehur i priste me mall toka amëtare.
Dalja e beftë nga burgu ishte bërë dy ditë më parë në orët e mbrëmjes.Strategjia e përdorur e arratijes , koha e aksionit , shpejtësia e lëvizjeve e të tjera detaje si këto ishin për policinë e burgut aq hipnotizuese sa që ata kishin mbetur me gisht në gojë e si të shushatur. Sikur ngjarja e ndodhur para syve të tyre të kishte ndodhur në ëndrra, ose të kishte qenë një sekuencë filmi horror, nga filmat horror që ndodhnin vetëm në filmat Hollivudjanë.Nuk kishin armë me vete. Nuk kishin asgjë, përveç trupave të cfilitur.I mbante gjallë liria dhe malli për vendlindjen.Kështu, të dy së bashku dikur kishin hyrë në Greqi, para shtatë vjetëve, nga një pikë kalimi si kjo . Tre vjet kuturisje për të kapur ndonjë punë rrugëve e Athinës, dhe katër vjet të tjera në burgun famëkeq të Korifallosë, nuk ishin pak për të kuptuar se vendi drejt të cilit ishin nisur një ditë me shpresë për të gjetur parajsën paskishte qenë një ferr i vërtetë.
Ditën e parë pas ikjes nga burgu, jo vetëm policia por edhe dy helikopterë që u qëndronin mbi kokë hanin inat me dy ish të burgosurit,duke i ndjekur me nervozizëm,nga ajri dhe nga toka.Dita e dytë kishte nisur me shira dhe bubullima.Nuk u dëgjuan më zhurmat e helikopterëve.
Aleksi bëri disa hapa para, i ndriçuar nga drita e Hënës dhe u kthye sërish nënë pemët hijerënda.Te kodra përballë përdridhej vija kufitare.Kodra dukej si një gungë e zezë.
-Aleks ,dëgjon gjë?
-Jo.Asgjë..Është zhurma e erës. -Jam shumë i lodhur.
Markut iu kujtua rruga nga kishin ardhur.Ngjante pikërisht si ajo pamja që kishin përpara…Po e njëjta kodër…Veçse nuk dukej kurrkund lumë. Në hyrje ata kishin kaluar një lumë,vetëm me brekë.Rrobat i kishin lidhur me rripin e pantallonave dhe i mbanin lart,në dorë, me dorën tjetër përpiqeshin të notonin. gjatë kalimit të lumit kujdeseshin dhe për Dedën, ,ish kryetari i kooperativës së Sangut, që nuk dinte not.
Tani Hëna shkëlqimtare dhe e brengosur kishte dalë e plotë në qiell.Hidhte dritë mbi rrugën ngaa duhet të kalonin…Matanë kodrës ishte Shqipëria e tyre.Tani ishte koha…Ishte një çast vendimtar…Tani veç në i ndihmonte Zoti,Zoti ose fati.
I pari doli Marku, duke shkelur me hapa të rëndë e me shpejtësi mbi barishte dhe gjëmbaçët me lule ngjyrë manushaqe,Pas tij vrapoi Aleksi
Vrapo Mark vrapo, pak më tutje të pret kufiri…Vrapo Aleks vrapo! Kujto nënën , kujto motrën, kujto babanë ulok dhe vëllanë e vogël…Dy të rinjtë nga Mirëdita nuk ecnim.Fluturonin..Ishte fluturimi i tyre i fundit.Në çast u lëshua në ajër një breshëri automatikësh…Mos! Një breshëri e dytë dhe trupat e të rinjve u lëkundën në erë…Më pas u bënë rrafsh me tokën dhe barin e njomë,ndërsa shpirtrat e tyre u ngritën vrik në qiell,drejt Hënës shkëlqimtare dhe të brengosur.

Golem,29 korrik 2018