Filipinsja e panjohur

Nga Ilir Kadia – Tiranë

Befas nga kolltuku i saj shtrirë Nini tha se ndjehej e lodhur.
-Ta marrim një filipinse?! Janë shumë punëtore. Një shoqja ime ka dhe është shumë e kënaqur!
Mbeta. Në shtëpi kanë hyrë e dalë shumë punëtore nga gati gjithë Shqipëria në këto njëzet e kusur vjet që na kanë ndihmuar në punë shtëpie por asnjë ndërkombëtare. Shërbyese me anglisht! Uauu!
-Marrin pak! Dyqind mijë në muaj! Kompania që i sjell i shfrytëzon! Por edhe aq atyre u bëjnë shumë punë…!
Gruaja priste përgjigjen time duke ditur se ajo do lidhej me sasinë e parave e që do na kushtonte filipinsja. Në çast më shkoi mendja tek skllavet e dy-tre shekujve më parë që udhëtonin në bodrumet e anijeve nga Afrika në Amerike,pastaj tek gratë e vajzat shqiptare që kalonin nëpër shtigje mali në Gramos e Devoll dy -tre dekada më parë djegur nga dielli e ngrirë nga acari e bora për të larë shtëpitë e mbajtur pleqtë e vetmuar grekë. Dhe ja paska ardhur dita që tregu i punës ofron mall ndërkombëtar edhe në Shqipëri. Si arrat e kokosit, kivit e deri bananet që në komunizëm nuk i njihnim.
– Hë si thua?! Ta marrim!
Në mëndje më shkoi përgjigja “po të jetë e re dhe e bukur që sot! “ por nuk guxova as si shaka të hapja gojë! Ruaja kokën.
-Ajo filipinsja e shoqes time ka fëmijën sëmurë dhe për atë ka ardhur këtu, të mbledhë para! Katër vjet pa e parë! Kompania nuk ja paguan biletën që të shkojë ta shohë. Paguaje me lekët e tua i thotë! Atë e ka marrë malli shumë!
-Vendose vetë o grua!
Thashë unë shpejt e shpejt se nuk desha që Nini të mbushte sytë me lot, si unë, nga halli i madh i filipinases të panjohur.