“Miqtë e Dedë Shkurtit” rreth librit të tretë poetik “A thua Vegim” dhe speciales së revistës “Mirdita”

Kanë kaluar afro pesë muaj që poeti dhe publicisti ing. Dedë Shkurti nuk jeton mes nesh, por janë “Miqtë e Dedë Shkurtit” siç pëlqejnë të quhen, që shpeshherë mblidhen në kafet ku dikur diskutonin me Dedën mbi artin letërsinë, dhe shoqërinë në përgjithësi. Ata janë të shumë, por këtë rradhe u mblodhën ashtu si gjithmonë pa shumë bujë e lajmërime, për të përkujtuar dhe diskutuar dhe folur rreth librit të tretë poetik “A thua Vegim” me redaktor Besim Cengun si dhe numrit të fundit të revistës “Mirdita” e cila ka trajtuar në mënyrë speciale pjesë të krijimtarisë së së tij.

Në këtë takim ishin të pranishëm Alfred Duka, Nikollë Loka, Aleksandër Ndoja, Mark Marku, Pjetër Marku e Gjet Kola, Gjon Jaku, Bardhok Koka e Ndrec Doda, Preng Maca, Nikolin Kurti, Viktor Gjikolaj e Servet Cara, por edhe Besim Cengu, Isa Halilaj, Dod Luli, Ymer Domi.

Në fillim ka folur z. Alfred Duka  cili vuri në dukje se jeta e Dedë Shkurtit ka qenë e vrullshme e dinamike, e ndërprerë shumë shpejt, por ky ishte fati i tij. Megjithatë ai ka lënë vepra dhe punë të tija, të cilat do jetojnë shumë gjatë dhe do kujtohen prej miqve, por edhe me vonë prej atyre që nuk e kanë njohur fizikisht. Ne njihemi të gjithë me njëri tjetrin ndaj nuk ka nevojë për asnjë lloj prezantimi, por miku më i dashur dhe i përhershëm i tij ka qenë miku jonë i nderuar Besim Cengu, i cila ka përgatitur diçka me rastin e këtij takimi përkujtimor, ka përfunduar z. Alfred Duka.

Redaktori Besim Cengu tha se falenderoj jashtëzakonisht shume organizatorët, ndërkohë falenderoj Pjetër Markun bashkë me stafin e vet për revistën “Mirdita” që mbajnë gjallë kulturën mirditore, por edhe përtej mirditore. Është shumë vështirë me mbajtur një revistë, pasi ne si popull nuk kemi shumë traditë duke u nis pak nga rilindja jonë kombëtare, por prap se prapë ne rrekemi të botimet njëditëshe siç janë gazetat. Revistat faktikisht janë dokumentare të shkruara. Meqenëse këtu qënka shkruar një shkrim i imi për Dedë Shkurtin nuk do të ndalem shumë në këtë pikë, por do të ndalem pak te proza e Dedë Shkurtit. Si individ Deda ka qenë njeri i pa qetë. Kurrë nuk ka qenë i qetë në psikologjinë e vet, në botën e vet dhe kap përshtypjen se edhe kur flinte, ai vlonte e ndoshta për këtë shkak nuk e kemi më mes nesh. Ndaj e kam titulluar atë si poet i kumbimit të madh, i fjalës së madhe. Ka për të ardhë një ditë kur shoqëria jonë nuk do të jetë indiferente siç është tani. Ai ka sjellë risi në krijimin poetic. Unë e njoh shumë mirë vargun, sidomos vargun e Ded Shkurtit, biles nuk u apasionova pas këtij vargu, por u dashurova pas vargut. Në shënimet e mija edhe unë kam qenë pasionant dhe më vjen mirë që kam qenë i tillë, pasi vetë pasioni shpall anësi kundrejt një individi, shpall simpatinë për të. Unë e kam me shumë ndershmëri se unë e kam simpatizur këtë krijmitari poetike. Unë  e kam shfletue totalisht krijimtarinë e tij dhe kam konstatuar se ai nuk ka qenë poet ne varg, ai ka qenë poet në prozë. Unë kam mbledh në fb krijimtarinë e tij në rreth 1728 faqe, aty dalin më shumë se 10 libra që mund ti dalin, ka vijuar më tej Besim Cengu.

Ndërsa poeti Nikoll Loka tha se për ata që janë në amshim flitet mirë, por në art nuk ndodh përherë kështu, sepse arti ka huqet e veta. Poeti Dedë Shkurti nuk meriton vetëm fjalë kortezie, malli apo dhimbje, por edhe admirim, reflektim dhe studim. Ai meriton të botohet në çdo rrjesht të tij, në prozë, poezi, tregime, ese, publicistikë politike dhe shoqërore. Deda iku, kur kishte shumë për të thënë dhe deri në frymën e fundit e ruajti vokacionin e tij krijues, bashkë me shpresën se do të fitonte mbi sëmundjen, por nën kërcënimin e saj, për më tepër se një vit e gjysëm e jetoi çdo ditë, sikur të ishte e fundit.

Kolonel Mark Marku tha se e kujtoj si student në Tiranë, por e kujtoj kur shkoi me punë në Kukës. Deda ka pas një fatkeqësi të madhe me bashkëshorten dhe e ndjente shumë, disa herë ma ka shpjeguar për mënyrën se si ndodhi, pra e kishte peng të madh. Dhe e shkruara e Dedës për të, ka gjurmët që ndjente brenda vehtes. Dedën e kam ndjekur edhe me vonë ishte tip i veçantë, me Dod Pjetrin ishin si dy vëllezër që gjuanin njeri tjerin me ato batutat.

Ndërsa Aleksandër Ndoja tha se e këndvështroj këtë rast nga viti 1972. Është matura më ekselente që ende mbahet në kujtesë për faktin se ishte një brez që pothuaj të gjithë shkuan në shkollë të lartë. Ndoshta është dashur një kohë e gjatë shtrydheje për të dalë një brez i tillë, nje brez brilant që ka lënë gjurmë në memorien mirditase, intelektuale që rrezatojne dhe sot, anipse ndonjë është ne amshim si Ing Dedë Shkurti. Jane brez që kanë sfiduar një kohë të vështirë dhe kane dalë në sipërfaqe, falë një shkollimi solid e jo alla plepa, apo të tipit “Kristal”

Në këtë takim kanë dhënë mendimet dhe kujtimet e tyre edhe Isa Hali, botues i 10 librave, poeti dhe mik i tij Viktor Gjikolaj, poeti Preng Macaj, sudiuesi Nikolin Kurti, por edhe avokat Gjet Kola, Dod Luli etj. Pjetër Marku ka sjellë disa kujtime nga puna e tij në Kukës, ndërkohë që ka veçuar bashkëpunimin dhe mbështetjen e tij për revistën “Mirdita”.

Në fund, nipi i tij Gjet Shkurti ka falenderuar të gjithë të pranishmit për aktivitetin e ditës së sotme, por edhe për mbështetjen dhe bashkëpunimin e mëhershëm kur Ded Shkurti ishte në aktivitet dhe në prodhimtarinë e tij poetike e artistitike. (PirustiNews)