FLAMUR GASHI I PRESIDENCËS…

Nga Ramiz Lushaj
 
1.
Vjeshtë, 2014. Në Presidencën e Republikës së Shqipërisë përgaditej një zyrë pune për Këshilltarin e Presidentit për Rajonin. E, në dialog, në atë korridor të gjatë, pas dvetjes: “kush po vjen aty” dikush u ‘gjegj shkurtas: “Vjen ai Kosovari” (!) Po, kush ishte ky? – Flamur Gashi: i pari shqiptar i lindur në Kosovë që po báhej Këshilltar i Presidentit të Republikës së Shqipërisë; i pari që ishte akredituar ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i Shqipërisë në Bosnje-Hercegovinë (2010-‘14); i pari që punoi kryeredaktor (1997-2001) e mbasandejna drejtor (2003-’05) i një media në Shqipëri– tek e mirënjohura Radio “Kontakt”, asokohe- e para radio shqiptare private në Shqipëri.
 
 Vjeshtë, 2014. Asistent doktor i shkencave, Flamur Gashi, diplomat kariere i Tiranës, publicist i njohur i mediave e i mediumeve kombëtare shqiptare, i diplomuari (pas)universitar i Prishtinës e i Tiranës, ish ligjërues i kahershëm në Fakultetin e Gazetarisë të Universitetit të Tiranës, filloi edhe në tjetrën detyrë të tij plot pasion e krejt mision: Pedagog në Kolegjin AAB–i pari institucion jo-publik i arsimit të lartë në Kosovën e pasluftës, ma i madhi investim në Kosovë në fushën e arsimit, anëtar i Magna Charta Universitatum, me korpus qëndror në Prishtinë e me filiale në Gjakovë e Ferizaj. Aty i ligjëron landët e profesionit e pasionit të tij: Bazat e Diplomacisë; Marrëdhaniet me Publikun; Negociatat dhe Zgjidhja e Konfliktit; Të Drejtën Diplomatike dhe Konsullore; Bazat e Protokollit. Aty, në ato fillime pune, kryehere, disa studentë shqiptarë të Kosovës fjala-thoshin në biseda të lira ndërveti për këtë pedagog të ri në atë kolegj: “Ka ardhë, ky i Shqipërisë”(!)
 
            I veçanti Flamur Gashi është një ndër ata shqiptarë trojenik e kohanik, veprimtar shumëdimensional: atdhetar kombëtar, diplomat, politikan, kulturolog, gazetar, pedagog, studjues i shkencave, veprimtar i shoqërisë civile; që i ka thye e tejkalue prej kohit e në përditëni, me shembull ballor e veprimtari të shumanshme, përveçime të tilla: “Ai, i Kosovës”apo “Ky, i Shqipërisë”.
 
Flamur Gashi u lind në Pejën historike të Kosovës dardane, më 10 qershor 1969, u rrit aty në shtat e personalitet; i ndoqi në vështirësi të rrethanave e përndjekjeve politike shovene studimet universitare edhe për Gjuhë-Letërsi Shqipe në Prishtinë; u përfshi’ aktiv në Demonstrata të Vitit ’89; ishte ndër prijtarët e Aksionit të madh Kombëtar Shqiptar të Pajtimit të Gjaqeve; ishte njeri i Fjalës së Lirë në masmediat panshqiptare e ndërkombëtare, pedagog i auditoreve universitare në Kosovë e në Shqipëri, etj.. Prej 18 janarit 1991 ka ardh’ i përhershëm, tashma çerek shekullor – në Tiranë, në metropolin panshqiptar, tuj krye trajnime e specializime në Akademinë Diplomatike pranë MPJ të Shqipërisë, duke pasë kontribute elitare në disa funksione të larta e në evente të mëdha të kohës së demokracisë së re, në disa zhvillime kombëtare rajonale shqiptare.
Ai është ndër të parët intelektualë atdhetarë, politik, kulturor, i shoqërisë civile, i ardhun nga Kosova në Shqipëri fill pas “Rënies së Murit të Berlinit” dhe shenjohet dallueshëm si një ndër luftëtarët tradicional e modern, një ndër kontributorët aktiv e frytnor të përhershëm, të shumanshëm e të pandalshëm të “thyerjes” së këtij muri të shumfishtë të vjetër e të ri, për integrimin kombëtar e euro-atlantik dhe zhvillimet e gjithanshme në mes Shqiptarëve etnik e trojenik në dy anët e kufinit të padrejtë mbi shekullor në mes Republikës të Shqipërisë Londineze dhe të trevave etnike shqiptare në Ish-Jugosllavi (Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Luginë e Preshevës, deri në Sanxhak e Nish).
 
E, kështu-kësisoj, si pak-kush, përplotnisht, denjësisht, Flamur Gashi që po mbush një gjysëm shekulli moshë, e ka të ndarë jetën e tij të andrrave e realiteteteve, të përpjekjev e e arritjeve, në kohani të rrallë në dy çerek shekulli – gjysmën në Kosovë dhe gjysmën në Shqipëri.
Në këto dy vende e shtete shqiptare, në kohët e realitetet e tyre, Flamur Gashi ka mbetë i njëjti në idealet e tij, në vlerat e visaret e tij – një atdhetar kombëtar frontal i vijës së parë e deri ndër tribunalët në ngjarjet epope e epokë; një qytetar e zyrtar me kulturë rrezatuese e dituni të thella, të gjana e në rritje; me veprimtari të çmuar në çështjen kombëtare shqiptare, në diplomaci, masmedia, politikë, arsim, me shoqërinë civile, etj.; me CV në pasurim tanësor e cilësor për mirë, për gjatë e për lart në rrugëtimet e tij të shumanshme; me gene të pastra të trashëgimisë së gjakut e pragut të tij në Kosovë dhe të jetës së tij familjare e veprimtare të derisotme në Tiranë.
 
            Dy prindërit e Flamur Gashit kanë lindur e janë rritur në dy anët e Shqipërisë Etnike. Baba i tij, atdhetari e intelektuali Xhemail Gashi, u lind në Krujë (Shqipëri) dhe pas mbylljes së kufinit, kah 1948-ta, mbeti përgjithnji familjarisht në Pejë (Kosovë). Nana e tij dritnore e burrnore, Nurije Selca (Gashi) ka lindur e u rritë në Lugun e Baranit të komunës të Pejës, një krahinë etno-historike e shquar, e bukur, me kulla të moçme e të reja, një mrekulli natyrore në mes Lumabardhit të Pejës (në veri), Lumabardhit të Deçanit (në jug) e Drinit të Bardhë (në lindje). Kit’ mbiemrin e saj të çiknisë – Selca, vështirë ta ketë ndokush në Kosovë. Një mbiemër nderi i origjinës të kahershme breznore genetike të saj, sepse Selca është bajrak i parë, vllai i madh i fisit të shquar të Kelmendit, qendër e Kelmendit të Gurit në Shqipëri, në lartësi alpine të Bashkisë të Malësisë së Madhe.
 
E, ky Flamur Gashi i Pejës, që gjysmën e jetës po e kohanon në Shqipëri, e ka gjetur në Shqipëri tash dy dekada “gjysmën” tjetër të jetës së vet: Aidën, tiranase e vjetër, juriste e njohur, me kulturë bashkëkohore. Bashkëshorte e denjë. Një martesë e pastër, e mirë, e gjatë. Edhe tre fëmijët iu kanë lindur në Shqipëri. Te dy, Flamuri e Aida, janë “dy gjysma” në dy anët e kombit që na japin portretin e plotë të një çifti ideal e me ideale, bashkëkohorë, që në vetëveten e tyre, me rastin e shembullin e tyre, na paraqesin simbolikë të një bashkimi kombëtar Shqipëri-Kosovë, të një Shqipërie Etnike.
 
Flamur Gashi, edhe tash nji çerek shekulli (1991-2017) është “i ndamun më dysh”- në kohë faktike e me kontribute reale: gjysma në Kosovë dhe gjysma në Shqipëri.
Ai, në këto katër vite kalendarike (2014-’17) është këshilltar (diplomatik e politik) i Presidentit të Republikës së Shqipërisë për Rajonin dhe, njëherash, edhe pedagog në Universitetin AAB në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.
Ai, në disa intervista televizive në Kosovë e në Shqipëri thekson se në rrugëtimin e tij atdhetar, politik, diplomatik e mediatik, á kanë këshilltar i ish-Presidentit të Shqipërisë dr. Sali Berisha dhe i ish-Kryeministrit të Kosovës, Bujar Bukoshi, si dhe i tre ministrave të luftës e të paqes në Kosovë: Xhafer Shatrit – ish ministër i Informatave dhe i dy ministrave të Mbrojtjes, dy gjeneralëve: Ahmet Krasniqi (atëherit Kolonel) e Halil Bicaj.
Aty nga vera e vonë, ndoshta fill shtatori ’98, e pata takue ministrin Ahmet Krasniqi (1948-1998) para Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Ai ishte vet i dytë: bashkë me këshilltarin e tij, Flamur Gashi. Po shkonin në një konferencë shtypi në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Ia dhashë një kopje të gazetës time “Shkëlzeni” të atyre ditëve me një foto-tekst për këtë legjendar të luftës. Ministri Krasniqi më tha se të nesërmen “do të shkonte në front, në Koshare …”e, këtu, dua të aksiomoj: Kosharja, tokëlidhun me Gegajt e Shipshanit të Tropojës është e do të mbetet lufta ma monumentale e viteve ‘90 në Kosovë.
 
E, në këtë vargni mund të mozaikojmë shumë raste të tjera si këto në jetën e aktivitetin e tij. E, sigurisht, pamëdyshje, qartësisht e lartësisht, dy gjysmat e Kombit Shqiptar në genet e hapat e tij, në veprimtaritë e arritjet e tij: Shqipëria dhe Kosova, na e japin krejt të plotë e lartnor portretin format-madhnor bashkëkohor të Flamur Gashit.
 
2.
Gashi, mbiemri i Flamurit, përndryshe emri i fisit të tij të lashtë, tradicional e modern, kuptimon shqiptarisht me domethanien: “njerëz të sakrificës, të vetmohimit, që në beteja shkojnë e luftojnë trimnisht edhe me plagë në trup”. E thotë kanga popullore: “Ku po del kjo flakë e verdhë/Gashi i Gurit plumb po derdh/Me gjak t’vet armët saritë/Kurrë përjetë nuk janë koritë…/”.
Gashi, në legjenda e histori epike, në etnosin e tij, ishte aq i madh në hapësira e epos sa që merrte edhe emnin e viseve ku shtrihej gjeografikisht përgjatë luginave alpine përmbi Drinin e Bashkuar, kah Drini i Bardhë e dekteri në lumin Morava në Nishin e moçëm etnik shqiptar, vendlindja e Konstandinit të Madh– një nga “10 personalitetet e të gjithë kohërave” që nganjëherë renditohet edhe pas Krishtit e Muhametit. Thuhet se në Nish, prejce në shekujt e parë të Mijëvjeçarit të Dytë, ka qënë një nga kryeqëndrat e Gashit, i thirrun: “Gashi i Nishit”dhe “Malësia e Gashit”, sikurse një qënder e tillë gashjane ishte para e gjatë kohës së Skënderbeut edhe në Ndërlumna të Pultit, aty ku Bushtrica dhe Drini dy-bigohen me Valbonën. Të parët e moçëm fisnor të trungut genetik të Flamur Gashit thuhet se kryehere ishin nga Nishi etnik shqiptar, të cilët u shpërngulën prej andej nga serbët ardhacakë, nga Sllavët shovenë të Jugut, përgjatë një gjysëm shekulli (1833-1878), veçmas e masivisht në vitin e Kongresit të Berlinit (1878), me genocid tipik sllav, krime kundër njerëzimit e spastrim etnik të jashtëzakonshëm, të cilat ende nuk i ka ndëshkuar Historia dhe Bota e sotme globale. Këta, gashjanët muhaxhirë, stacionuan rrënjas në Podujevë, në Obiliq-Kastriot (Dardhishtë), në Runikun afër Skënderajt të Drenicës, dhe, ma të shumtit, në Banjë të Pejës të Flamur Gashit. E thotë kanga popullore: “Muhaxhirët, bré, kah po shkojnë/Për ta malet po vajtojnë/Bukë pâ ngranë e ujë pâ pi/Kanë marrë udhën për Shqipni…/. Pra, gashjanët e trungut genetik të Flamur Gashit ngulën rrënjë jete e ngritën kulla guri, morali, qëndrese, vlerash, në të mrekullueshmen Pejë të Princ Leka III Dukagjini, të Dinastisë të Begollëve, të Haxhi Zekës, të Ali Pashë Gucisë. Aty jetnojnë edhe sot. Trojenik. Kulltarë. Shqiptarisht. Euro-atlantik.
 
Një stërgjysh i Flamur Gashit, sic kumton gazetari i njohur Ylli Polovina (“Midis Atdheut dhe Mëmëdheut”, revista “Shqip”, dhjetor 2006) “ishte nji ndër ushtarakët me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”, i sprovuar ndër dekada në beteja kundërosmane e kundërsllave, prej nga Moraça në Plavë-Guci, deri në Slivovë-Shtimje, Grykën e Carralevës.
 
Dy vllaznit e Syl Vragës (Gashi), gjyshit të Flamurit, ishin luftëtarë të njohur të lirisë e pavarësisë kombëtare shqiptare kundër sllavëve, serbë e malazezë. Qazim Vraga (Gashi) së bashku me Ram Bekën e me dhjetra të tjerë, i përket një brezi atdhetarësh të Rrafshit të Dukagjinit e Drenicës, që në burime historie cilësohen si “Burra të Kombit”.  Qazimi ishte në çeta kaçake në rajonin e Pejës, Istogut e Rrozhajës. Tjetri, Halim Vraga (Gashi) u vra përgjakshëm nga serbët shovenë, e pushkatuan në moshë të re në kullën e tij në Pejë, në vitin 1917, në kohën e Luftës së Parë Botërore.
 
Sllavët, në kohën e krajlëve kundërshqiptarë të Jugosllavisë së Parë e të Dytë, i përndoqën edhe këta gashjanë të Pejës për qëndrimin e tyre patriotik shqiptar, ndaj dy vllaznit e tjerë, të mbetun gjallë: Syla e Qazimi, u detyruan të ri-shpërngulen për në Shqipërinë Londineze, në Borizanë të Krujës së Skënderbeut, në Mamurasin e “Legjendës së Murr Detit”. Syl Gashi punonte xhandarr në kohën e Ahmet Zogut. Banin një jetesë të mirë, ndiheshin të respektuar për punën e vlerat e tyre fisnore e familjare. Aty, kah viti 1948, kur Syl Vraga- Gashi shkoi për vizitë tek kusherinjtë e vet në Pejë, u mbyll kufini dyanësh i Kosovës (Jugosllavia e Tretë e Titos) me Shqipërinë. Rá “Perdja e Hekurt”. Filloi “Lufta e Ftohtë”. Syl Gashi, familjarisht, me djemë e çika të lindur në Shqipëri (ndër ta dhe Xhemaili – baba i Flamur Gashit) mbetën në Pejë, përgjithnji, me kulla e toka, me djepe e varre. Ndërsa, tjetri: Qazim Vraga– Gashi pati një vdekje natyrale në moshë të thyer në vitin 1976 në Fllakë të Durrësit bregdetar, ku ishte shpërngulë aty, familjarisht, prej dekadash.
 

(Vazhdon)