Trump: Marrëdhënia me Britaninë, “e domosdoshme”

Pas bisedimeve në Pallatin Chequers me Kryeministren britanike Theresa May të premten, presidenti amerikan Donald Trump tha se marrëdhënia midis SHBA dhe Mbretërisë së Bashkuar është “e domosdoshme”.

Ai tha se kishte diskutuar me udhëheqësen britanike një sërë përparësish, duke përfshirë ndalimin e përhapjes së armëve bërthamore.

Ai falënderoi Kryeministren për partneritetin e saj në realizimin e objektivit për një Kore të Veriut pa armë bërthamore.

Për Iranin, ai tha: “Ne të dy jemi dakord se Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore”.

Presidenti Trump tha se të dy ata “njohin rëndësinë jetike të sigurisë së kufirit dhe kontrollit të emigracionit”.

“Për të parandaluar aktet e huaja të terrorizmit brenda territoreve tona, ne duhet që në radhë të parë të mos lejojmë terroristët dhe mbështetësit e tyre që të pranohen në vendet tona,” tha zoti Trump.

Ai gjithashtu falënderoi zonjën May për “mikpritjen e saj shumë të ngrohtë”.

Presidenti i SHBA, Donald Trump niset për në Windsor për çaj me Mbretëreshën Elizabetë e Dytë.

PROTESTAT NË LONDËR

Ata që e kundërshtojnë vizitën e zotit Trump po e vënë në lojë presidentin amerikan me një balon gjigant që tregon një Trump të zemëruar me pelena. Baloni gjashtë metra i gjatë do të fluturojë mbi Parlament për dy orë gjatë një proteste të planifikuar.

“Ne nuk e duam Donald Trumpin në vendin tonë, ne jemi njerëz të mirë, nuk tolerojmë abuzimin e grave, nuk tolerojmë mizorinë në asnjë formë, as racizmin. Nuk mendojmë se ky njeri duhet të lejohet në vendin tonë,” thotë një protestues.

Ambasadori i SHBA në Britani, Woody Johnson, i cili shoqëron presidentin, tha se zoti Trump nuk po përpiqet t’i shmanget asgjëje duke udhëtuar me helikopterë. Përkundrazi, ai po përpiqet ta bëjë vizitën e tij sa më të frytshme që të jetë e mundur brenda këtyre 24 orëve”.

Kjo është vizita e parë në Britani e zotit Trump që kur mori detyrën si President 18 muaj më parë. Para se të largohej nga Brukseli për në Londër, Presidenti Trump nuk i kushtoi rëndësi një pyetjeje rreth protestave duke thënë se ai mendonte se britanikët “e duan shumë”.

Ambasada e SHBA vuri në dukje se protestat e planifikuara nga e enjtja deri të shtunën, synonin të “tërhiqnin turma të mëdha njerëzish.” Ajo paralajmëroi amerikanët në Londër që të “tregonin kujdes nëse ndodheshin papritur pranë tubimeve të mëdha që mund të shndërroheshin në dhunë”.