Në Kojel, përballë Shkëlzenit

Nga Riza Çelaj – publicist, mësues – Tropojë

Kojeli është një fshat në afërsi të Tropojës. Ai shtrihet në dy anët e lumit të Tropojës. Fshati përbëhet nga dy Kojela, Kojeli i Shpatit dhe si i Rrafshit. Njerëzit e këtij fshati janë puntorë të mirë. Me punë e djersë kanë ngritur gjithçka që u duhet për të jetuar.

Fshati përbehet nga disa fise: si Gashi dhe Berisha. Janë të njohura lagje të Gashit si: Hoxhaj, Memiaj, Celaj. Ndërsa nga fisi i Berishës dallojnë lagjet: Buçaj, Papaj, Pecaj, Balishë, Kojel.

Nga këto shtëpi kanë lindë e janë rritë djem e vajza, nipër e mbesa që kanë bërë emër të mirë jo vetëm në Tropojë, por edhe më gjërë. Një pjesë e mirë kanë kryer studimet e larta e punojnë në Tropojë, të tjerë në Tiranë apo kanë zgjedhur rrugën e emigracionit. Me punën e të ardhurat e tyre kanë investuar në vendlindje duke ndërtuar shtëpi të reja e komode që kënaqesh kur i shikon. Të tilla ndërtime të bukura ka në Kojel të Rrafshit e të Shpatit.Kohët e fundit janë ndërtuar e po ndërtohen në lagjen Balishë disa shtëpi të reja. Janë të shumtë banorët e kësaj ane që edhe pse vitet i kanë renduar përsëri gjejnë forca të ecin pse jo edhe të punojnë.

I tillë është malësori shtatlartë e fisnikë Tahir Avdyli. Ka një moshë 82 vjeçare dhe është për tu marrë lakmi. Terë jetën ka qënë bari. Edhe në vitet e demokracisë ruan delet. Cdo ditë në lëvizje. Cdo ditë në punë. Ai thotë se bariu nuk ka pushim asnjë ditë. E sheh në lagje duke kullotur delet, e takon në bjeshkë në gurrat me ujin e ftohtë, në rudina ku kullosin bagëtia, në Rreshkëzën, bjeshkën ku ka kaluar shumë vite të rinisë pse jo edhe të pleqerisë. Te gjithë e duan e respektojnë, djem e nipa, shpesh e qortojnë “Hiqi delet se je lodhë”. Ai pergjigjet shkurt e prerë: “Këto me zgjatin jetën”. E ashtu kokëulur e fjalepakë siç e ka zakon ecën e ecën bacë Tahiri rrethuar nga dashuria e djemve,nipave e mbesave.

Kur udhëton për në Tropojë s’ka si të mos zërë syri një shtëpi në krah të djathtë fund Fushës së Tropojës. Është shtëpia e Hamdi Memisë. Një shtëpi e punuar mirë, rrethuar me baçe ku rriten: kumbulla, molla, arra, dardha, ftoj, kajsi. Sa hyn në oborr të shfaqet para syve një burrë shtatlartë e terë humor. Është Hamdi Memia. Pak kush e beson se i ka lenë 85 vite jetë. Hamdiu ka punuar shumë në jetë, por edhe ka gëzuar shumë. Kënaqet kur shtëpia e tij mbushet me nipër e mbesa. Hamdia, djali i madh i Brahim Bekës, pas tij lindi Sadria, Sosja e Drita që e ndryshuan jetën e Brahim Bekës. Si vëlla i vetëm tani u bë me krahë. Brahimi u rrit jetim si vëlla i vetem pas 6 motrave. Ai trashëgoi tipare të larta të fisit Gashit si dhe ato të Memiajve. Ai qe punëtor i madh, por edhe kuventar i dëgjuar. Në odat e burrave e në dasma, në gëzime familjare dëgjoheshin tingujt e lahutës që aq bukur i binte dhe zëri i tij melodjoz mbushte me krenari banorët e kësaj ane. Këngët e kreshnikëve për Mujin e Halilin i kishte për zemër. Në këngët patriotike sidomos këngët e trimërisë sikur i shtonin forcat. Edhe kengët lirike sidomos lirikat e dashurisë i pëlqente shumë.

Hamdiu, si biri i Brahim Bekës mësoi shumë në shkollë, po një shkollë e madhe u bë edhe familja. U rrit e u burrërua me tregimet që dëgjoi në odat malësore. Mësues të pazëvendesueshëm u bënë nëna dhe babai. Mori pjesë në aksionet për ndertimin e vendit si: në rrugën e Shumri-Bajram Curr, në rrugën e Dritës e kudo ku kishte aksione të rinisë. Vite më vonë do të ishte një shkollë e ultë mekanike që Hamdiu do të merrte zanatin e traktoristit. Në këtë zanat do të punonte pjesën më të madhe të jetës. Me traktorat e fuqishëm të kohes punoi në hapjes e tokave të reja si në Cerrnicë, Bukovë etj. Disa vite punoi në ushtri në fortifikimin e vendit. Edhe pas daljes në pension në vitet 90 nuk u lodh e nuk u ligshtua. E sheh tek shpejton për në Tropojë, tek niset për në B.Curr, në kafe me shokët, në raste gëzimi e fatkeqesie gjithë energji Hamdi Memia.

Vitet e fundit si pasardhës i veteranëve e familje deshmori Hamdiu leviz të shumtën e ditevë të javës. Ai ka një merak që brezi i ri të edukohet e njihet me të kaluarën e lavdishme të popullit tonë. Lëvizjet nga një fshat në tjetrin kanë shtuar anëtarsinë në organizatën e veteranëve. I zgjedhur nënkryetar për zonën e Tropojës si dhe anëtar të Komitetit të Veteranve të rrethit Tropojë atë e gjen duke biseduar me Ismetin e Fatmirin në Tropojë, me Adullahin në Myhejan, me Haxhinë në Babinë, me Ukën në Begaj, me Alinë në Kerrnajë, me Ramën në Sopot, me Shpendin, Dritën, Andrinën në Shkollën e Tropojës e kudo. Rezultatet flasin vetë,çdo ditë shtohen rradhët me autorë të rinj, çdo ditë punon e punon Hamdia. Si nipi i dëshmorit Tahir Malë Memia dhe bir i Brahim Bekës i cili nuk pranoi të vishej milic në kohën e pushtimit italian, strehues i luftëtarve gjatë luftës çlirimtare, pritës e percjellës i dhjetra kosovarëve në 1999 në luftën e Kosovës Hamdi Memia lindi dhe rriti 6 fëmijë: 4 djem e 2 vajza: Besimin, Xhevahiren, Njazinë, Skenderin, Perparimin dhe Fatbardhen. Të gjithë i shkolloi e sot janë të shpërndare në Kojel, Tiranë, Angli kudo të nderuar e respektuar. Edhe pse janë të shperndarë shpesh mblidhen e i bëjnë babait ndonjë suprizë siç ishte rasti i 85-vjetorit të lindjes që festoi para pak kohe.