O këngë ëmbëlta e Malësisë së Mirë

(Dedikuar këngëtares Gofile Papalekaj)

Nga Nikoll N. Ulndreaj

O këngë-ëmbëlta Tropojane, o shtojzovallja bjeshkore
Më atë zë bilbili shkrinë një ortek bore
Shkrinë një ortek bore verën ngjet në bjeshkë
Dhe lulja e fundi e vonuar çel në pjeshkë

Valle hedhin zogjtë nën melodinë e zërit tënd
Parajsë bëhen bjeshkët gojëfil e lule në çdo vend
Gojëfil e lulen në çdo vend mbrëmja kur vjen agu kur gdhi
Mbrëmja kur vjen agu kurë gdhi bëhesh hënë në bjeshkë e diell në vërri

Ato vargje kënge shkruar me shkëndija
Nëntë bjeshkë larg kundërmojnë si jeleku me vija
Si jeleku me vija kundërmojnë po unë ku ta dija
Se po këndon Tanusha se po këndon Mesija

Këndo moj Gofile gjersa nëntë bjeshkë të kallen
Të kallën nëntë bjeshkë e të vdekurit të ngjallen
Të ngjallën të vdekurit të etur ikën për një këngë
Ikën për një këngë që shëron një brengë

O këngë ëmbëlta e malësisë së mirë
Po e qëndis këngën me nëntë xhevahir
Me nëntë xhevahir e me nëntë diamante alteri
Me nëntë diamante shëtit kënga jote në krahë ylberi…