Me gurin e Prekë Calit në Bogë të Rugovës

Nga Ramiz Lushaj

Bogë – i kam mbi dymijë vjet pa ardhë aty.
Prej nga koha e Krishtit dhe e Muhametit.
Ndaj m’u keni ba tashti dy Boga, në dy shtete:
Ti e Grykë Rugovës, ajo e maleve t’ Kelmendit.

Tek njana shkoj nga Peja, tek tjetra nga Shkodra.
Cila asht Boga e Parë, cila je Boga e Dytë…?!
Si këto dy Bogat e mia rrallëkund i ka Bota.
Guri i kufinit ua ka nda ndërveti dy sytë…

Bogë, mbi barin tand do ta vnoj faqen dardane,
Me veshin tem kam me ia ndie gjakun tokës.
Rugovë, merre gurin e madh të Prekë Calit,
Rueje kufinin e moçëm e të ri prej hileve të botës…

Bogë: due me u flladit me ajrin e pishave alpine
Me i pastrue mushknitë prej blozës së vdekjes.
Historia, traditat e natyra jote lumabardhe
Nji frymëmarrje, bukuri , lartësi tjetër e jetës…

Shkrue sonte, 19 gusht 2015