SHENJA TË MIRA LA ZENEL AHMET BYBERI

1.
Zenel Ahmet Byberi, ka nji shtëpi të vogël shqiptare
skej liqenit hyjnor në Plavë.
Aty kam pi kafe, kam hanger drekë,
Liqeni na sillte valë,
Fllad na sillnin bjeshkët.
Ajo shtëpi njikatëshe më bahej muzeum.
Ajo shtëpi m’i përngante Mekës…

2.
Ai mund ta ngrinte një kullë të madhe si në Shoshan,
Ai mund të merrte tituj e grada si kurorë…
Po, ai nuk donte të ishte i vogël,
As të mbetej i madh, me jehonë,
Ai ishte dhe mbeti i mirë, i pastër, si Valbonë…

3.
Zenel Ahmet Byberi, stërnip i Haxhi Zekës,
Nuk ishte trupmadh si kreshnikët e Gjeto Basho Mujës
Pushka e tij kishte dorë burrnie, mbante krisma trimnie,
Shenja të mira la në hapat e tij duke ecur udhës.
Ndrruan rregjime e kufi,
Jetoi në tre shtëpija – në tre shtete: Shqipni, Mali i Zi, Nju Jork.
Zenel Ahmet Byberi mbeti i pandryshuar:
Trim, besnik, fistar, bujar…i fortë.
Sot në qiell, dje mbi tokë.

Ramiz LUSHAJ

Shqipni Etnike, 2 janar 2017