Dhembja e dheut

Nga Nikollë Loka

Dheun
e shkelim gjithë jetën
pa i kërkuar ndjesë,
gjurmë mbi gjurmë
e dhembje mbi dhembje
kalojmë sipër tij
si hije e si njerëz.

Dheu i shkelur shkëmbëzohet,
e shkëmbi shkilet gjithnjë e më pak,
vjen një kohë që njeriu ligështohet,
mbi gjurmë dhe mbi plagë.

Shkëmbi
me një krua nën brinjë,
kroi i rrugës së madhe
s’është më!
Sipër tij
fluturojnë veç korba në gusht,
e gjarpërinjtë nën hije korbash,
mbi dhembje
rrëshqasin me nge.