Në Maltë Sesioni i Parë i Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe

Nga Taulant Balla – deputet,  kryetar i Grupit Parlamentar të PS

U mbajt dje dhe sot në Maltë Sesioni i Parë i Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe, ku pata nderin të zgjidhem Presidenti i këtij Parlamenti

Me mbështetjen e Parlamentit dhe Qeverisë së Maltës u zhvillua në kryeqytetin maltez sesioni i parë i Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe, në të cilin morën pjesë kryetarë të parlamenteve dhe deputetë nga shtete të ndryshme në pesë kontinentet.

Fillimi i Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe shënon një zhvillim historik në krijimin e një forumi ndërparlamentar që synon të promovojë dhe forcojë tolerancën dhe paqen.

Në fjalën e tij Presidenti i Dhomës së Përfaqësuesve të Maltës, zoti Anglu Farrugia shpjegoi se Këshilli Global dhe Parlamenti Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe përmbledhin dhe promovojnë një besim të rëndësishëm se paqja është një proces i pafund dhe përfshin aftësinë e transformimit të konflikteve me ndjeshmëri, kreativitet dhe pa dhunë. “Vetëm nëpërmjet të kuptuarit të përbashkët të sfidave të përbashkëta dhe dialogut të barabartë midis partnerëve, anëtarët mund të promovojnë tolerancën dhe paqen jo vetëm brenda kufijve të tyre kombëtarë, por edhe nëpër shtete”- u shpreh zoti Farrugia, ku theksoi edhe njëherë se toleranca dhe paqja janë një proces i vazhdueshëm që përfshin lojtarë të shumtë palë të interesuara .

Në seancën e dytë të punimeve u zhvilluan zgjedhjet për Presidentin e IPTP, zëvendëspresidentët dhe kryetarët e pesë komiteteve. Një lajm i mirë vjen edhe për Shqipërinë ku unë u zgjodha President i Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe.

Në fjalën e time përshëndetëse u shpreha: “Dua të falenderoj autoritetet shtetërore malteze për mbështetjen dhënë kësaj iniciative të rëndësishme. Shqipëria ime, vendi që unë përfaqësoj, gjithmonë ka qenë burim i paqes me fqinjët, sikurse bashkëjetesa mes besimeve fetare në Shqipëri është një model i shkëlqyer, ndoshta unik në botë”.

Gjatë punimeve të IPTP, zhvillova takime me Kryetarin e Parlamentit të Maltës zotin Anglu Farrugia dhe me Ministrin e Jashtëm dhe Tregëtisë, zotin Carmelo Abela. Zoti Balla falenderoi parlamentin dhe qeverinë malteze për mbështetjen e dhënë në Këshillin Europian në vendimin për përcaktimin e fillimit të negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë.

Gjithashtu IPTP ishte një mundësi e mirë komunikimi me përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Kështu gjatë takimit me zonjën Santi Bai Hanoomanjee Presidente e Asamblesë Kombëtare të Mauritius, u shpreha se: “Në Ministrinë tuaj të Punëve të Jashtme gjendet kërkesa për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur. Ju lutem ushtroni rolin tuaj si Presidente që kjo kërkesë të shqyrtohet dhe të merret miratimi për vendimin e njohjes. Vijimi i procesit të njohjeve është në dobi të normalizimit të marrëdhënieve dhe dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ne Parlamentin Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe kishte përfaqësues edhe nga Parlamenti i Kosovës dhe ai i Maqedonisë.

*Këshilli Global për Tolerancën dhe Paqen, u nis zyrtarisht në Maltë në Nëntor 2017 dhe ka qëllimet e promovimit të tolerancës, paqes dhe veprimit humanitar në të gjithë botën. Përmes adoptimit të parimeve demokratike dhe të së drejtës ndërkombëtare, Këshilli Global për Tolerancën dhe Paqen synon të luftojë diskriminimin, sektarizmin fetar dhe etnocentrizmin ndërsa promovon rolin e grave, të rinjve dhe grupeve të margjinalizuara si aktorë kryesorë në zhvillimin e shoqërive të drejta dhe paqësore.