I DËRGUARI NGA DIASPORA

Tregim nga QAZIM D. SHEHU

Atë e njoha një pasdite vjeshte në Tiranë.Ishte një burrë i hajthëm me një çantë të madhe.Jetonte në Francë.Në të vërtetë unë nuk e pyeta, vetëm për emrin kërkova ta pyesja ,por ai më tha se jetonte në Paris.Kjo për mua s`kish rëndësi dhe, më vonë, nuk e kuptova pse duhej ta thoshte këtë, po nganjëherë ti nuk mund të presësh përgjigje nga njerëzit siç i do, as si të pëlqejnë, varësisht prej tekave apo nga  dëshirat e tua.Njerëzit duhet t`i marrësh siç janë dhe kjo është bukuria e jetës.Por ,më vonë, sërish do mendoja se përgjigja e tij ndoshta donte të afronte një kontekst tjetër,se patjetër unë duhej të ndjehesha i nderuar në prezencën e tij.Më erdhi inat, ndonëse shpesh gjërat më duhet t`i kaloj dhe të mos merrem shumë me to.Rasti e solli ta takoja sërish me dy të njohur të mitë ndërsa pinim kafe .Erdhi duke vendosur çantën e madhe në kolltukun pranë tryezës së lokalit dhe duke folur gjysmë frëngjisht e gjysmë ship,po sqaronte disa probleme të vetat, ngecur për arsye kohore , por që ai po i zgjidhte shpejt e me  ndihmën e ca miqve të vet.Pasi kuptoi se asnjëri nuk po e tregonte vëmendjen e duhur për këto probleme , çështje pronash, ai filloi të tregonte sesi funksiononte sistemi shëndetësor në Francë, si ecnin punët atje.Kishte njohuri, ndonëse këto njohuri zgjateshin vetëm në një vështrim të përgjithshëm të ca ligjeve dhe asaj korrektese perëndimore që dihet.Ditën tjetër, tek i njëjti vend,erdhi sërish,dukej më i zymtë se ditën e parë, dhe filloi të mallkonte miqtë.

-Këtu thyhet fjala, tha, këtu fjala kushton më lirë se një gjethe peme.Ta thonë tani po ,dhe nesër e ke jo, e kjo në Francë nuk ndodh.Atje je i besueshëm dhe korrektesa e tjetrit edhe nëse nuk do ta mbajsh fjalën, të detyron me një vorbull magjike ta mbajsh atë se s`bën.

Ne e dimë se jemi një shoqëri copë copë, e tejkaluar në dëmin që i bëjmë njëri tjetrit, po nuk më pëlqen aspak në kultin që i ngremë Perëndimit.Diasporasit tanë të nderuar që shkuan atje për një jetë të mirë, për të cilët kam respekt, duhet të kuptojnë se jo çdo fajësi që ndodh këtu, mund të korigjohet me moralin e tyre dhe udhëzimet e tyre teksa rëndohen me një mall të përvëluar.Këto po mendoja, ndërsa pyetja e tij:Ç`thua ti?,sikur më shkundi nga mendimet e mia të cilat mund mos ishin të drejta, apo thjesht personale.Unë fillova të flas për Francën dhe i thashë se kisha udhëtuar gjatë nëpër Francë.Më pa me habi.

-Ti ,tha ke qenë në Francë?

-Po , thashë, kam qenë në Paris.Më ka marrë,Hygoi,Balzaku përdore, Pol Elyari, Kamy, …e rendita të gjithë shkrimtarët francezë që kisha lexuar.

-Ti di frëngjisht?

-Jo, thashë.

-Atëhere si i ke lexuar.

Atëhere m`u desh të përmendja një radhë përkthyesësh shiptarë, një gjeneratë viganësh  të cilët ai s`i kishte dëgjuar.Për të dalë nga situatë, pohoi frëngjisht dhe shtoi po frëngjisht se unë isha një njohës i Francës.Por, tha se do ishte mirë sikur të shkoja në Francë vetë, se Franca nuk njihet vetëm përmes letërsisë.

-Edhe mund ta bjerë zoti mbarë…

-Atje të pres unë, tha.Për t`i lënë shijen se e besoja për pritjen e tij, nuk e zgjata më dhe kaluam në diçka tjetër.Fundja, jo çdo njeri është i detyruar ta njohë letërsinë, ashtu si letërsia është e detyruar të na bëjë me njohje vendet dhe njerëzit.Që ditën që bëmë këtë bisedë, unë, ndryshe nga herë të tjera, nuk e pyesja më, ndërhyja me takt kur e pyeste ndonjë bashkëbisedues tjetër i afruar tek ky diasporas me një shenjë venerimi të pakuptimtë.S`kisha pse ta pyesja dhe as tentoja , madje më linte një shije të hidhur fakti që ndonjëherë kisha kërkuar ta ngopja kuriozitetin tim me ndonjë pyetje bajate,duke marrë përgjigje të cilat nuk kishin ndonjë vlerë të madhe.Zakonisht lexoj në internet shkrime nga diasporasit dhe më pëlqejnë.Disa i njoh,ata dikur kanë qenë shokë të mitë.Por fati e solli këtë shpërndarje në katër anët e botës.Të gjithë japin mend për shoqërinë, qeverinë, dhe bëjnë mirë.Edhe ata kanë të drejtë se u dhimbset Shqipëria; nuk ikën nga ky vend se deshën,por për një jetë më të mirë.Po s`më ka pëlqyer një zell i tyre.Pse vallë vetëm kritikojnë?Nganjëherë bindem për këtë se duke parë një botë më të mirë, një shoqëri tjetër , kontrasti i shtyp dhe bëhen pesimistë.Ne shqiptarët ,ose lavdërohemi tepër ,ose kritikojmë shumë.Në dy ekstremet kemi një tejkalim.Thonë se vetëdija kritike është shenjë moderniteti.Nuk e besoj kur ajo shkërmoq çdo cak të arsyetimit të drejtë.Ndaj, duke u ndalur tek protagonisti ynë, këto mendime më vërtiteshin në kokë si grerëzat e vogla që sapo kanë dalë nga foleja dhe kërkojnë diçka të butë për ta pickuar.Pastaj arsyetimi shtjellohej në faktin se bota sot është një fshat global.

Ky njeri i mirë po më cimbiste nervat, se në çdo bisedë e sillte Francën dhe frëngjishten e nakatoste me fjalë shqipe, nganjëherë dialektore.Përse fliste frëngjisht kur njerëzit që e rrethonin nuk e dinin.Ndoshta ngaqë donte të tregonte se e zotëronte në prefeksion.Punë e madhe, ndoshta ngaqë donte të nxiste të tjerët që ta mësonim,apo  për ta bërë interesantin.Pastaj bisedat rrëshqisnin sërish nga politika, ashtu siç kanë dëshirë shqiptarët, të cilët gjithnjë mendojnë se politika është fatëkeqësi e tyre.Ai e ndiqte politikën shqiptare, madje disa titullarë  i njihte.Do shkonte të ndërhynte deri tek i madhi fare, që ta ndihmonte për një punë, por në Francë nuk ndodhte kështu.Atje çdo gjë ishte në vend të vet, funksiononte si sahat.Biseda të tilla ne bënim çdo ditë.Ato shtyheshin gjithnjë rreth dëshirave të tij,sepse diasporasi ynë i nderuar, jo rrallë na i paguante kafet dhe kush paguan duhet dëgjuar, thotë një  i mençur praktik.U bëmë shokë,filluam të shkonim nëpër aktivitete të ndryshme, në promovime librash, dhe atje ai takonte shumë të njohur të vet.Një ditë i thashë ta hiqte këtë zakon, ose të fliste frëngjisht, ose shqip.Më është bërë shprehi, tha,e di ti, edhe kur takoj francezë, u flas aty- këtu me fjalë shqipe.Kjo më bën origjinal dhe francezët e vlerësojnë shumë.

-Nuk besoj thashë, megjithatë varet në çfarë ambientesh ndodhesh.

Pashë se kjo nuk i pëlqeu ,dhe s`kish sesi.Ai ndoshta e mendonte veten tjetërlloj  para meje, se shëtiste në sallone aristokraike të Parisit, në godinat e famshme të barokut, kush e di ç`ëndërr shihte me syhapur, dhe, në atë çast, po e gjykoja veten se s`duhej ta dënoja kaq keq.S`ishte përse.Njerëzit nuk mund të dalin nga lëkura e tyre.Ka njerëz që mundohen ta bëjnë këtë dhe,  sapo e kuptojnë ,futen prapë nën lëkurë.Sidoqoftë s`më rrihej pa të.E pëlqeja groteskun e tij në të folur kur edhe ndonjë fjale i jepte me dashje ose jo theksin fundor.Ishim një mbrëmje në një përurim.Një profesor i ditur shqiptar, që jetonte prej dekadsh në Paris,kishte shkruar një libër për lashtësinë ilire.Heroi ynë, kuptohet për t`u njohur më nga afër me qytetarin e vet në një shtet tjetër, iu afrua duke i folur frëngjisht.Profesori ishte një burrë i vjetër,i mbajtur, me lëkurë të bardhë prej fisniku, po e pashë sesi ,në çast ,iu hakërrye:

-Ore, fol shqip- i tha, ndërsa iku me rrëmbim drejt një këndi tjetër të sallës ku e rrethuan menjëherë disa dashamirës,sepse ai ishte njeriu më i rëndësishëm i asaj mbrëmjeje.Njerëzit kujtuan se ndodhi ndonjë incident  po gjithçka u fashit në mënyrë të mirëkuptueshme,heshturazi.E pashë heronë tonë sesi u skuq dhe deshi të më thotë diçka, por ai preferoi më mirë të heshtte dhe ta bluante përbrenda gabimin e tij të trashë.Mbase  ai mendonte se duke folur me profesorin frëngjisht, të pranishmit do ta merrnin për ndonjë këshilltar kulture të ambasadës franceze, apo ndoshta ata do vinin re të habitur të folurën e tij të rrjedhshme me atë timbrin elegant që ka frëngjishtja.Këto i hamendësoja më vonë, teksa më bridhte mendja sërish tek ajo mbrëmje e bukur me profesorin e vjetër, i cili na kishte sjellë një libër studimor.Nuk e di, po që nga ai cast, heroi ynë nuk po fliste më frëngjisht, përveç ndonjë rasti kur harronte dhe ia shkrepte ndonjë fjale.Edhe mund të  kishte  ardhurnë gjendje të esëllt, duke kuptuar se frëngjishtja sa ç`i hynte atij në punë, nuk u interesonte të tjerëve…