Kina, Shqipëria dhe “Formati 16 + 1”

Nga Besnik Mustafaj

Më 7 korrik zhvillohet në Sofje takimi i 7-të në kuadrin e Formatit 16 + 1, një Format ky i iniciuar nga Kina qysh në vitin 2012 për të strukturuar bashkëpunimin ekonomik me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, ku përfshihet qysh në zanafillë edhe Shqipëria. Ky takim do të jetë në nivel kryeministrash, me ç’rast vjen edhe kreu i qeverisë kineze Li Keqiang. Pritet edhe pjesëmarrja e Kryeministrit Rama. Edhe pse nga zyra e tij nuk është publikuar ndonjë lajm i qartë. Është rasti, megjithatë, të flitet mbi ecurinë e këtij Formati, i cili është i kombinuar me projektin e madh “Një brez – një rrugë”, një projekt ky po ashtu i iniciuar dhe i udhëhequr gjatë zbatimit nga Kina.

Unë nuk kam informacione për të bërë një tablo të përgjithshme të hopit të ri që ka marrë bashkëpunimi ekonomik i 16 vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore me Republikën Popullore të Kinës pas krijimit të këtij Formati. Por fakti që vetë Kryeministri kinez vjen në Sofje për t’u takuar me kryeministrat e këtyre vendeve, tregon vlerësimin e lartë të qeverisë kineze. Për t’ia arritur qëllimit të përbashkët kërkohet i njëjti vlerësim dhe respekt edhe nga qeveritë e vendeve tona.

Projekti “Një brez – një rrugë” është gjigant. Ai do të ringjallë arterien kryesore, nëpër të cilën lëviznin dikur mallrat dhe njerëzit midis Kinës dhe Europës, e njohur në histori me emrin “Rruga e mëndafshit”. Po tashmë infrastruktura do të jetë krejtësisht moderne, e pajisur me autostradë dhe hekurudhë. Është një projekt që vetëm Kina mund ta ndërmerrte. Nëpërmjet këtij projekti, Kina do të rrisë ndjeshëm rolin e vet në zhvillimet ekonomike globale. Përfituesit kryesorë do të jenë Kina, e gjithë Europa, Rusia si dhe Republikat ish – Sovjetike që kjo infrastrukturë komplekse komunikimi përshkon. Indirekt, kjo infrastrukturë do të jetë shumë e dobishme edhe për ekonominë e Turqisë dhe ekonomitë e vendeve të Lindjes së Mesme. Perspektiva e Formatit “Mekanizmi 16 + 1” është natyrshëm e kombinuar me këtë projekt.

Pyetje që vlen të shtrohet në Tiranë në prag të këtij samiti është: Sa eficiente ka qenë Shqipëria të përfitojë nga kjo mundësi për të thithur investimet kineze në krahasim me vendet e tjera, përfshirë ato të rajonit? Unë përsëri nuk kam statistika për të folur në mënyrë konkrete. Fakt është se ekonomia shqiptare është jo vetëm më e vogla, por edhe më e dobëta midis 16 vendeve të përfshira në këtë Format të përbashkët bashkëpunimi. Rrjedhimisht, edhe mundësitë e saj për të përfituar nga oportunitete të tilla janë më të vogla. Këtij realiteti i shtohet edhe një pengesë tjetër, e cila nuk është objektive: korrupsioni. Shqipëria është vendi me nivelin e korrupsionit dukshëm më të lartë, krahasuar me vendet e tjera të përfshira në këtë mekanizëm. Dihet mirë se korrupsioni është një gangrenë për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar.

Do të shtoja edhe një faktor tjetër, i cili e ul ndjeshëm eficiencën e Shqipërisë në kuadër të këtij Formati. Fjala është për kapacitetet e ulëta të administratës shqiptare për të hartuar projekte cilësore për t’i bindur partnerët kinezë mbi rëndësinë dhe rentabilitetin e investimeve të tyre potenciale. Po sjell si shembull koncesionin e ndërtimit të Rrugës së Arbrit. Vetë Kryeministri ynë e shpalli me bujë të madhe se këtë koncesion do ta merrte një kompani kineze në kuadrin e bashkëpunimit 16 + 1. Më pas nuk ndodhi kështu. Pse? Qeveria shqiptare nuk ka bërë për opinionin tonë publik asnjë transparencë lidhur me arsyet e këtij dështimi. Po hipoteza më e besueshme është se projekti ishte i hartuar keq dhe i negociuar keq nga pala shqiptare. Unë kam kuptuar edhe së qeveria shqiptare nuk ndërmori masat e nevojshme ligjore për t’u dhënë garanci investitorëve kinezë, që u ofruan. Ky është vetëm një shembull, por mjaft domethënës, që tregon se eficienca e Shqipërisë për të përfituar nga këto oportunitete është ende shumë e ulët.

Dëgjoj të flitet, madje edhe në media ndonjëherë, lidhur me rrezikun për rritjen e influencës kineze nëpërmjet investimeve, gjë që ka sjellë hezitimin e Shqipërisë ndaj këtij bashkëpunimi. Bartësit e këtyre opinioneve duan të thonë kështu se investimet kineze janë të padëshiruara nga Bashkimi Europian.

Së pari, unë do të thosha se arsyet e vërteta, thelbësore, që e kanë penguar Shqipërinë në këtë bashkëpunim janë vetëm ato që përmenda më sipër. Të them të drejtën, në qëndrimet e Kryeministrit Rama dhe të qeverisë që ai drejton ndaj bashkëpunimit me Kinën unë nuk kam vënë re ndonjë hezitim të lidhur me strategjitë europiane të Shqipërisë. Rreziku për rikthimin e influencës kineze në Shqipëri përmendet nga zyrtarë të ndryshëm të qeverisë Rama vetëm nën zë dhe ka për qëllim të fshehë paaftësinë e qeverisë sonë për të qenë dinamike dhe eficiente në këtë bashkëpunim. Sepse ky rrezik nuk ekziston. Shumica dërrmuese e 16 vendeve në fjalë, (11 të tilla) janë tashmë anëtare të Bashkimit Eurpoian. Të tjerët janë pa mëdyshje vende kandidate për t’u integruar në Bashkimin Europian. Brukseli nuk sheh ndonjë qëllim të fshehtë politik nga ana e Kinës për të vendosur influencë mbi kontinentin tonë të bashkuar. Kjo është e qartë.

Kina është sot në një fazë intensive të zhvillimit të saj ekonomik, kur është në gjendje të eksportojë drejt Europës jo vetëm mallrat e prodhuara me kosto të ulët, por edhe kapitale të mëdha financiare. Ndërmarrjet e saj janë fuqizuar për të dalë si konkurrente në tregun ndërkombëtar. Europa e Bashkuar, përfshirë këtu edhe Gjermaninë dhe Francën, sheh në këtë realitet një interes të përbashkët dhe e ka hapur ekonominë e saj ndaj investimeve kineze. As kinezët nuk kanë ndonjë kompleks ideologjik e as euopianët. Dhe kjo është gjë shumë e mirë.

Edhe në ekonominë shqiptare, investimet kineze kanë tashmë realisht një peshë të madhe. Po përmend vetëm dy shembuj: Bankers Petroleum dhe Aeroportin e Rinasit. Të dyja këto kompani bashkë bëjnë më shumë se 500 milionë euro të investuara vitet e fundit. Dhe të dyja këto kompani veprojnë në sektorë strategjikë për vendin tonë. Bankers në fushën e hidrokarbureve me shfrytëzimin e burimeve të naftës në zonën e Patos – Marinzës dhe Aeroporti i Rinasit, që është i vetmi aeroport ndërkombëtar i Shqipërisë. Bankers është kompania më e madhe që vepron në ekonominë shqiptare, me një peshë të ndjeshme drejtpërdrejt në PIB e Shqipërisë. Por të dyja këto kompani janë blerë nga investitorët kinezë te të huajt. Bankers kishte pronarë kanadezë dhe Aeroporti kishte pronarë gjermanë. Nuk kemi ende asnjë histori suksesi me kinezët, në origjinë të së cilës të jetë qeveria shqiptare.