Prishtinë, 6 korrik 2018 – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosova ka vija të kuqe në dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe ato, sipas tij, përcaktohen me Kushtetutën e vendit.
Në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Haradinaj tha se kushdo që i shkel parimet e vendosura në Kushtetutë do të shkarkohet, ashtu siç ka ndodhur me dy presidentët e mëparshëm të Kosovës.
“Ju e dini se janë shkarkuar presidentë, sepse e kanë shkelur Kushtetutën. Ne kemi vija të kuqe, ne i kemi në Kushtetutën e vendit. Jemi shpallur shtet, kemi territor. Nëse dikush del jashtë këtyre, ju e dini, është shkarkuar presidenti dy herë. Unë e kuptoj idenë që të nxjerrim vija të kuqe, që janë parimore, por ne e kemi kontratën nga e cila askush nga ne në Kosovë nuk guxojmë të dalim. Ajo është Kushtetuta e vendit. Konsensusi politik i brendshëm nuk është vetëm t’i mbrojmë vijat, por është që të afirmojmë të drejtën tonë”, tha ai, citon Radio Evropa e Lirë.
Haradinaj tha se nga dy parti të opozitës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, ka parë sinjale të mira rreth Dialogut të Brukselit.
Ai theksoi se në këtë fazë të dialogut duhet të përfshihen të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvend, veçanërisht ato në opozitë.
“Dialogu nuk ka alternativë, duhet të ecim drejt dialogut. Po ashtu, dialogu nuk mund të ikë nga rregulli institucional. Pra, është e pamundur që të iket nga institucionet e vendit. Mirëpo, në dialog është mirë që të përfshihen institucionet, nënkuptohet këtu Parlamenti dhe partitë politike në Kuvend dhe ato opozitare, por edhe shoqëria civile”, u shpreh ai.
Haradinaj njoftoi se Qeveria e ka përgatitur një raport rreth arritjeve dhe sfidave të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, i cili do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës.
“Ajo që kemi dhënë në këtë raport është gjendja reale e të arriturave, shkalla e zbatimit (të marrëveshjeve të arritura), por edhe sfidat. Mendoj se ai (raporti) është një pasqyrë e mirë se çfarë ka ndodhur”, tha Haradinaj.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Sipas Bashkimit Evropian, ky dialog duhet të përfundojë me arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për të dyja palët, e cila, pos tjerash, do t’i çonte të dyja vendet drejt integrimeve evropiane. (r.m.)