Koloneli

 Xh. Karajt, dëshmitar i Kampit Mat`hauzen

Nga Sulejman MATO

E quajnë Xhemal Karaj.Një burrë i pashëm, me tipare ekspersive e me qëndrim dinjitoz. Nuk të jep përshtypjen se i ka kaluar të tetëdhjetat.Vjen përditë te kafja ku takohemi mëngjezeve, ulet në një tavolinë, i vetmuar, porosit sipas xhepit: herë kafe, e herë kafe dhe raki.
-Sa vjeç mbushe Xhemal?- e pyet dikush.
-Unë? Duket sikur i ka harruar dhe vitet që i kanë ikur.Ja…në dyzetetreshin kam qenë 14 vjeç…
Ishte ai vit kur djaloshi nga Picalli i Tiranës do të dilte partizan, gjashtë muaj më pas do të përfundonte në kampin famëkeq të Mathauzenit.
Nuk dija asgjë për të, e për më tepër, isha kureshtar të dija si kishte shpëtuar nga ai kamp famëkeq.
-Ke pasur fat…
-Po.Kam pasur. Më ka shpëtuar një kolonel gjerman.
-Kolonel Gjerman!?
Është një histori e gjatë,- thotë ai.Midis tyre ka pasur dhe gjermanë të mirë. Njerëz ishin dhe ata.Shpirt kishin dhe ata. Fëmijë kishin dhe ata.
-Si e quanin kolonelin?
-Nuk ia mësova dot emrin.E thërrisnin Koloneli. Ashtu mbeti në mendjen time.Veç gjermanishtes fliste dhe sërbisht. Ishte një burrë i pashëm,bjond, i gjatë,i ashpër dhe i prerë.Kishte shumë autoritet tek oficerët e tjerë.Kështu më ka mbetur në kujtesë…
Shënimet e mëposhtme ia mora disa ditë më vonë.

* * *

Ka qenë muaji qershor. Viti 1943.Ishim në fshat.Unë shkova në arë me prindërit për të korrur misër. Babai kishte marrë dhe dy miq për të na ndihmuar.Nëna kishte marrë gjashtë gra nga fshati. Në orën njëmbëdhjetë, kur bëmë pushim, babai më thotë. -O çun! A po shkon me na mbush kotruven te burimi?
-Po babë- i thashë. Nëna më dha një kaçile me vete. Burimi mbante rreth çerek ore larg. Atje kishte dhe disa rrënjë fiq. U nisa drejt burimit. Kur po futesha në pyll më zuri syri një çadër italiane. Ishin çadrat e ushtarëve italianë. Dy kilometra më tutje, kishte komandën Çeta partizane e Pezës. Ato ditë priteshin sërish luftime të ashpra. Kur kalova pranë çadrës së parë, vura re një grykë pushke. Kishte dalë jashtë çadrës. Nuk e di si ma dha truri.Nuk mendova gjatë. S’pipëtinte asgjë. Ushtari flinte brenda çadrës. Ia tërhoqa pushkën me kujdes, e hodha në krahë dhe ia mbatha. Mbusha kotruven me ujë, në burim. Mblodha dhe ca fiq dhe, pas gjysmë ore u ktheva në arë. I shkoj babës me katruven me ujë, me kaçilen me fiq dhe me një pushkë italjane në krah, të tipit `41. Baba u çudit. -Ku e more? më pyet. I tregova se si ndodhi.Nuk më besoi. Në atë çast vjen komisari i çetës së Pezës, Spiro Moisiu.
Ky është djali yt?
-Po, – i tha babai.
-Hë qerrata!-m’u drejtua mua duke më lëmuar flokët.-Nuk pate frikë kur ua rrëmbeve pushkën? Po sikur të të kishin kapur. -Unë të pashë me dylbi,- iu drejtua babait. Djalin e paske të shkathët.
-Bujrum!- i tha baba duke e fuar të hante diçka.Nëna i zgjati fiq në një pjatë.
– Nuk do rri, -tha ai.-Por këtë djalë do ta marr me vete. Në qoftë se ma lejon.
-Si jo?- i tha baba.
Spiroja para e unë pas.Më çoi në shtabin partizan.
O babë, a e njeh këtë çun?- e pyeti Babë Myslimin.
-Si jo. Është çuni i Qazimit.
-Shiko se çfarë u mori italianëve, ma hoqi pushkën nga supi dhe ia zgjati Babës.
Babë Myslimi, ma hoqi pushkën nga supi dhe më tha:
-Ik tani.
-Jo, nuk iki! -i thashë i vendosur. Ose më jep pushkën, ose më mbani dhe mua partizan.
-Si thua Babë? – e pyeti Spiroja..
Mbajeni,- miratoi me kokë.
Qysh atë ditë unë u inkuadrova në çetën e Pezës.Në tetor të atij viti, bashkë me partizanë të tjerë kaluam në brigadën e tretë. Në nëntor u gjendëm në Priskë, në maj në Shëngjergj. Atje qendruam 15 ditë.Pastaj u hodhëm në Labinot.Nga e gjithë ajo kohë mbaj mend luftën e Polisit të Elbasanit. U bë luftë e madhe. Patëm 46 të vrarë, e po aq të zënë robër.Mua më kapën rob dhe më mbajtën disa ditë në një shtëpi ballisti. Më pas më dorëzuan tek gjermanët.Gjermanët na mbyllën në një kapanon. Kishin me vete një përkthyes.Na pyetën një nga një.Donin të dinin cilët ishin udhëheqësit tanë.Nuk treguam asnjë. Tre prej tanëve, i nxorrën jashtë dhe i pushkatuan. Ditën e katërt na hipën në kamiona dhe na nisën për në Prishtinë.10 ditë në kampin e Prishtinës. Më pas na kaluan në kampin e Zemunit. Atje nisën të na torturonin pa mëshirë.Na çonin larg qytetit të ngrinim gurë. Pas torturës së gurëve na priste një torturë edhe më e rëndë.Na merrnin një nga një, na fusnin në një dhomë, na zhvishnin dhe na qëllonin me shkop gome. Në një nga këto ditë, hyri në kapanon Koloneli. Na vërejti të gjithëve me radhë. Tek unë u ndal më gjatë. Për të tjerët urdhëroi të nxirreshin jashtë. Mua ma bëri me shenjë të mos lëvizja. Kur mbeta vetëm, m’u afrua dhe më tha.
-Ti nuk do të dalësh në punë.
Të nesërmen qëndrova në kapanon.Një roje gjermane më solli një pako me ushqime.Ishin nga ato pakot që u vinin të internuarve. Thërrisnin emrat.Pakot e të vdekurve ua jepnin të tjerëve. Një nga këto pako më erdhi mua.Ishte shkruar me shkrim dore “Savos”. Më shkoi mendja që pakon e kisha nga koloneli. Edhe ditët e tjera, rojet më binin pako me ushqime me mbishkrimin “Savos”. Nuk e di pse më kishte vënë këtë emër.

* * *

U nisëm me tren nga Banica e Sërbisë.Na ndaluan në një qytezë të vogël. Emrin s’ ia mbaj mend.U hapën dyert e vagonit. Zbrisni!- thirrën ushtarët e vagonit që na shoqëronin. Rruga tjetër do të bëhej me kamjona. Ishte një rrugë malore.Pas disa orëve na zbritën sërish.Ne vepronim të bindur, sipas komandave të tyre.Na zbritën, na vunë në rresht dhe na futën në një kapanon ku kishte dhe shqiptarë të tjerë.
Si quhet ky vend? pyeta një shqiptar.
-Mathauzen, më -tha ai. Ky është një kamp internimi ndërkombëtar.Po ti mos ki frikë. Ky kamp nuk bombardohet nga aleatët.
Të nesërmen na vunë në njëshkollonë dhe na çuan tre-katër kilometra larg kampit.
Na vunë të transportonim gurë. Këtë punë bëmë për disa disa ditë. I zbrisnim gurët nga mali. Në fund të javës, po ata gurë i kthenim mbrapsht.Një mëngjes, na rreshtuan para kapanonit.
-Ti dil këtej! -thirri Koloneli. Shokët u nisën të gjithë. Mua më shoqëruan për në kapanon.Atë çast nuk më shkoi mendja se ky ishte një nder që më bëhej mua, e këtë nder ma bënte vetë koloneli.
Pashë kolonelin duke hyrë në kamp i shoqëruar.Sa më pa ma bëri me dorë.Shkova drejt tij.
-Ti nuk do të shkosh më të mbartësh gurë.
Kaq tha dhe u nis drejt zyrave. Ktheu kokën dhe ma bëri me dorë ta ndiqja pas. Ai para e unë pas tij, u futëm në një kapanon tjetër.Atje më prezantoi me një të internuar nga Vojvodina. Ishte i plagosur rëndë. Pas kurimit e kishin marrë gjermanët nga spitali dhe e kishin sjellur në kamp. Kishte qenë komandant brigade i forcave partizane.
-Ti do të kujdesesh për këtë djalin,-i tha. Ai pranoi. Unë iu luta kolonelit që të mos më ndante nga shqiptarët.Më hodhi një shikim dyshues.
-Mirë. Shoqërojeni në kapanonin e tij,- u dha urdhër dy ushtarëve, pa m’i hedhur sytë.
Kështu, unë vazhdova dhe ditët e tjera të mos shkoja për të mbartur gurë. Mëngjeseve më linin të dilja jashtë kapanonit, në oborr. Kishin porosi nga koloneli që të trajtohesha në mënyrë të posaçme.Bëra gjashtë muaj në atë kapanon.
Një mëngjes na vjen vetë koloneli duke thirrur.
-I gjithë kapanoni, jashtë!
Dolëm të gjithë. Na rreshtuan sipas shtretërve që kishim në kapanon. Ishim rreth 300 të internuar. Shumica ballkanas.
-Kush dëgjon emrin të dalë nga rreshti!
Thirri 27 emra. Emrin tim nuk e thirri.Kur mbaroi listën, m’u drejtua mua.
-Ti, dil këtej!-Të tjerët nëpër kapanone.
Më pas sollën nga një kapanon tjetër edhe 17 të tjerë. Unë iu afrova dhe e pyeta:
-Ubit..?Doja t’i thoshja:-“Do të na pushkatoni”?
Ai më vërejti me kujdes.
Na hipën në dy kamiona dhe na nisën.Nuk dihej ku shkonim. “Do të jetë për mirë…” mendova.
Na çuan në një kapanon më të mirë, ku kishte edhe dushe për t’u larë. Na futën nëpër dushe. Kishim kaq kohë pa u larë. Rrobat tona i dezinfektuan. Na i sollën të thara. Atë natë fjetëm aty. Të nesërmen na hipën nëpër kamiona.Në krye të kolonës më zuri syri kolonelin dhe u gëzova.Në një stacion ndaluan karvanin.Erdhën ushtarë me qese në duar. Na dhanë të gjithëve qese me ushqime.Rruga e kthimit drejt Prizrenit do të bëhej me tren, shoqëruar me roje gjermane.Në një tunel qëndruam gjatë.
Treni ndaloi në tunel për shkak të bombardimeve të forcave aleate.
Në Prizren mbërritëm në mbrëmje vonë.Na zbritën nga treni dhe na futën në burgun e tyre.
Të nesërmen vinin në kapanon, thirrnin listën. I merrnin dhe i sillnin sërish. Askush nuk e kuptonte se çfarë kishin ndërmend të bënin. I thirrën të gjithë. Vetëm mua nuk më thirrën..
-Ka të tjerë?- pyeti oficeri.
-Është edhe një
-Silleni!
Më morën dhe më çuan para një oficeri që fliste shqip.
-Afrohu!
U afrova.
-Prej nga je ti?
-Prej Tirane.
-Aa! Ti je ai djali i Qazimit? -Ky është djali i korrierit të shtabit të Pezës, u tha të tjerëve.Ky ka luftuar kundër gjermanëve…
-Të kthehet pas!- thirri gjithë nervozizëm.
Ndërkohë në derë u shfaq koloneli. Sikur e solli zoti.

-Këtë e kam liruar unë,- i tha atij që më vonë do ta merrja vesh se ishte Xhafer Deva.Më tërhoqi për dore, më çoi gjer tek dera dhe më shtyu me forcë përjashta. Unë qëndrova pas derës. Dëgjoja se si ziheshin me njëri-tjetrin. Më pas doli koloneli. -Hip në makinën time!- më tha. Më çoi në një kapanon që ishte gjysmë ore larg burgut.Tre ditë më vonë na morën me makina, dhe na nisën për në Shkodër.Kur hyra në kufirin shqiptar, nisi të më hovte zemra nga gëzimi.Shpëtuam! Shpëtuam,gati sa s’thirra nga gëzimi. Ishte pikërisht ky koloneli nazist të cilit ia kam borxh jetën. E kam kujtuar gjithnjë.Kanë kaluar 71 vjet,e nuk më del nga mendja. Çudi! Si nuk munda të mësoj asgjë për të? S’ ia mësova dot as emrin!?
(Në foto: Sulejman MATO)