Nevoja për indikatorët e performancës në PD

Nga Andi Mustafaj – Francë

Performanca, kuptuar si arritja e rezultateve të caktuara është elementi thelbësor i çdo veprimtarie, personale apo profesionale, private apo publike. Në politikë, ajo përkthehet gjithmonë në një marrëdhënie të dyfishtë besimi, që lidhet me dy kohët më të rëndësishme të vetë politikës: zgjedhjet nëpërmjet votës së qytetarëve dhe më pas qeverisjes nëpërmjet ngarkimit me përgjegjësi të ndryshme nga kreu i ri i qeverisë.

Si pasojës, vlerësimi i performancës duhet të bëhet në çdo kohë nga kryetari apo partia. Nuk mundet dhe nuk duhet të pritet afrimi i zgjedhjeve apo ndërtimi i ekipit qeverisës për ta bërë një gjë të tilla. Arsyeja është e thjeshtë, në atë kohë është shumë vonë.

Në rastin e parë mund të zbulohet që personi në fjalë nuk është në gjendje të nxisë aderimin e qytetareve duke fituar votëbesimin e tyre, ndërsa në rastin e dytë që nuk është në lartësinë e duhur për të qeverisur duke prodhuar reforma të dështuara ose skandale të shumta.

Në një demokraci të mirëfilltë, vlerësimi i performancës së personelit politik kryhet në mënyrë të vazhdueshme. Ajo mundësohet nga një shumëllojshmëri mjetesh që burojnë nga mediat (nëpërmjet sondazheve, reportazheve investigative, pasqyrimit të lajmeve), shoqëria civile dhe grupeve të presionit (nëpërmjet sindikatave apo shoqatave) apo qytetarët (nëpërmjet protestave apo ndëshkimit të në zgjedhje të ndryshme lokale).

Në Republikën e Shqipërisë këto mjete nuk ekzistojnë. Përfaqësuesit tanë politikë nuk burojnë nga besimi i qytetarëve, por mbijetojnë falë gërshetimit të sistemit proporcional rajonal dhe listave që janë fruti i vullnetit të një njeriu.

Kjo zhvendosje e “qendrës së fundit të vlerësimit të performancës” nga qytetarët tek kryetari ka sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë një zhvendosje të veprimtarisë politike nga rrethet tek qendra, nga themeli tek forma, nga koha e gjatë tek drita e shkurtër.

Kjo zhvendosje është e dëmshme në radhë të parë për qytetarët e vendit tonë, të cilët ndihen gjithmonë e më të braktisur e të larguar nga vendimmarrja që i prek drejtpërdrejtë. Në pamundësi për të ndikuar në zhvillimet e ndryshme që prekin vendin tonë, ata ndjejnë një indiferencë në rritje, që ushqen drejtpërdrejtë mungesën e vlerësimit të performancës dhe rënien e cilësisë progresive të punës së përfaqësuesve tanë.

Është e dëmshme në radhë të dytë për politikanët, tek të cilët mbizotëron përgjithësisht një pasiguri e madhe, si mbi fushë apo zonën për të cilën janë përgjegjës, si për rezultatet, pra performanca që duhet arrirë. Ata nuk gëzojnë kushtet apo shtysën e nevojshme për të ndërtuar një profil politik të mirëfilltë.

Është e dëmshme në radhë të tretë për vetë kryetarin e partisë, i cili detyrohet të shndërrojë çdo garë në një betejë mbi emrin e tij, duke harruar që suksesi në politikë është në radhë të parë një histori kolektive. Ai nuk është më në gjendje të ndërtojë dhe të vlerësojë ekipin e tij, apo të përshtatë strategji.

Ky nuk është një fatalitet i pazgjidhshëm! Nëse një sistem që çalon duhet të prodhojë, ide të reja mund ta korrigjojnë. Për këtë, Partia Demokratike duhet të ndërtojë menjëherë indikatorët e saj të performancës, bazuar mbi ekzistencën dhe transparencën e rezultateve të pritura.

Këta indikatorë duhet të vendosen në radhë të parë mbi Kryesinë e Partisë dhe pak e nga pak duke kapitaluar mbi suksesin dhe shembullin e dhënë, të përhapet tek degët dhe nëndegët e Partisë Demokratike, derisa të bëhet pjesë e plotë e mentalitetit dhe identitetit tonë.

Strategjia e përgjithshme e revoltës, të cilës i ka hyrë Partia Demokratike ka barazuar të gjithë veprimtarinë politike të anëtarëve të opozitës.

Performanca vlerësohet në aftësinë për t’u revoltuar, për të protestuar apo për të sjellë njerëz në protestë. Mirëpo, në asnjë moment një gjë e tillë nuk është e mjaftueshme për të reformuar dhe ndërtuar shtetin. Këto kritere kanë bërë që të lihen në harresë ose të mënjanuara të gjitha aspektet e tjera që bëjnë që një force politike shndërrohet në forcë qeverisëse.

Në vijimësinë e idesë themelore të krijimit të kundërshembullit ndaj Rilindjes Socialiste, kryetari i Partisë Demokratike duhet që për çdo anëtar të Kryesisë së PDSH, të hartojë një shkresë individuale, e cila e ngarkon me një mision tematik.

Në këtë shkresë duhet të përshkruhet minimalisht misioni që kryetari i ngarkon personit në fjalë, arsyet e ngarkimit të këtij misioni, rezultatet që duhen arritur dhe dokumenti e produkti përfundimtar që duhet prodhuar. Në rast se është e nevojshme duhet të përshkruajë procesi që duhet ndjekur apo edhe elementë më të veçanta si numri i personave që duhen konsultuar për të arritur në zgjidhjen e dëshiruar.

Kjo shkresë duhet të jetë publike, në mënyrë që gjithsecili të mund ta konsultojë. Kjo mënyrë funksionimi, e pazakontë, sjell një baraspeshë themelore ndaj çalimit të situatës së tanishme.

Kryetari i Partisë mund të tregojë vizionin e tij gjithëpërfshirës të temave që duhet të trajtohen, së bashku me mënyrën dhe ritmin e trajtimit të tyre.

Anëtarët e Kryesisë e kanë të qartë se çfarë pritet prej tyre me objektiva, të cilat mundësojnë krijimin e një dinamike pozitive si dhe forcimin e profilit të tyre politik dhe vlerës së tyre të shtuar.

Qytetarët dhe shoqëria civile mund të kenë përpara axhendën e opozitës dhe mund të dinë se ku dhe si mund të ndikojnë në ndërtimin e projektit qeverisës, duke gjetur një mundësi të munguar për t’u futur përsëri në qendrën e lojës që i prek drejtpërdrejtë.

Këta indikatorë i mundësojnë gjithashtu kryetarit të partisë që të mbështesë ndërtimin e ekipit të tij mbi baza objektive, ku merita dallohet dhe shpërblehet (nuk duhet harruar se meritokracia është një prej themeleve të partive të djathta).

Moderniteti fillon me gjetjen e zgjedhjeve të reja ndaj problemeve strukturore që vuan politika shqiptare. Kundërshembulli ndaj Rilindjes Socialiste duhet të jetë një përpjekje e çdo kohe e Partisë Demokratike.

Llogaridhënia, si forcë kontrolli e përhershme që indikatorët e performancës mundësojnë, forcon profesionalizimin e anëtarëve të opozitës dhe si pasojë ngritjen lart së të gjithë Partisë Demokratike. (Gazeta Shqiptare)