E para mbledhje e përbashkët e qeverisë shqiptare dhe asaj të Malit të Zi

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin ndërqeveritar Shqipëri-Mali i Zi, në Shkodër:

Është, jo sepse duhet thënë për protokoll, por sepse ka një të vërtetë të madhe në këtë, një kënaqësi e veçantë që jemi këtu, sëbashku, për takimin e parë ndërqeveritar mes Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi, këtu në Shkodër, në një qytet dhe kryeqendër ku ndërthuren më së miri dhe më së shumti elementë historikë, kulturore dhe natyrorë të dy vendeve tona, si dëshmi e një fqinjësie të gjatë dhe një miqësie të gjatë.

Më vjen shumë mirë ta theksoj se për ne, fqinjësia e mirë me Malin e Zi është shembulli më i shkëlqyer i marrëdhënieve vëllazërore mes fqinjësh. Ne jemi të lumtur që ndajmë kufirin me ju. Ashtu sikundër ndjekim me shumë dëshirë dhe më shumë respekt të gjithë progresin dhe përpjekjet tuaja të jashtëzakonshme, që e kanë transformuar rrënjësisht Malin e Zi, duke e kthyer në një model referimi për të gjithë, në të gjitha aspektet.

Kemi një dialog, si s’ka më të mirë, politik dhe jemi bashkë të orientuar pakthyeshmërisht në rrugën e integrimit të plotë euroatlantik. Na vjen mirë që na u dha mundësia ta shprehim me veprim të gjithë dashurinë dhe respektin për ju, duke mbështetur pa rezerva procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Sot, edhe më skeptikët mund ta shohin se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ka kontribuar në forcimin e stabilitetit të rajonit dhe në konsolidimin e perspektivës euroatlantike të popujve të tij.

I dashur Duško,

më vjen mirë që jemi këtu sëbashku, jo për faktin se ky është formati i parë i këtij niveli mes dy qeverive të dy vendeve, por për mundësinë që ky format na jep për të thelluar bashkëpunimin, për të konkretizuar aspekte të shumta dhe shumë të rëndësishme të këtij bashkëpunimi dhe për të forcuar më tutje marrëdhëniet shqiptaro-malazeze si marrëdhënie të një rëndësie të veçantë.

Kur jemi takuar së bashku në Podgoricë në prill të vitit të kaluar, prej ku njoftuam bashkërisht mbajtjen e mbledhjes së parë mes dy qeverive tona, ne sëbashku theksuam rëndësinë e zhvillimit të potencialeve të mëdha brezit ndërkufitar që Shqipëria dhe Mali i Zi ndajnë. Është një fashë e begatë që lidh vendet dhe lidh dhe fatet tona dhe nuk është vetëm gjeografia e përbashkët, por edhe trashëgimia materiale e shpirtërore që ne e ndjejmë për detyrë ta ruajmë, ta zhvillojmë si një hapësirë prosperiteti për qytetarët e të dy anëve të këtij kufiri dhe si një model të bashkëpunimit ndërkufitar, pse jo, për të gjithë rajonin.

Sot, ne jemi më të ndërlidhur se asnjëherë më parë. Por sot, ne jemi dhe më të vetëdijshëm se asnjëherë më parë që në këtë ndërlidhje ka potenciale të mëdha të pashfrytëzuara. Është koha që t’i adresojmë këto potenciale dhe të përfitojmë sa më shumë nga shkëmbimi i ideve, shkëmbimi i eksperiencave dhe bashkimi i forcave mes nesh, duke filluar jo vetëm nga hapja e pikave të reja kalimtare kufitare, që përbën jo vetëm një sukses të përgatitur të këtij takim, por edhe një bazë më të gjerë për të zbatuar planet e zhvillimit të brezit ndërkufitar dhe duke vazhduar me vënien në pah dhe shfrytëzimin e vlerave të mëdha ekonomike dhe turistike që bart e gjithë zona që bashkëndajmë.

Kohët e fundit, duke ndjekur edhe shembullin tuaj të zhvillimit të turizmit, që është një shembull i shkëlqyer për të gjithë ne dhe duke komunikuar edhe me investitorë që tanimë janë të pranishëm në bregdetin tuaj, e kemi dëgjuar më shumë se njëherë nga ana e tyre nevojën për t’u zgjeruar në investime edhe në anën tonë të kufirit dhe për të ndërlidhur më shumë kapacitetet qeveritare, kapacitetet bashkiake, kapacitetet ekonomike dhe natyrore të të dy vendeve. Në mënyrë që të gjithë turistët që drejtohen, apo në një numër në rritje do vazhdojnë të drejtohen drejt kësaj zone duke pasur si pikë referimi Malin e Zi, të mund të përfitojnë nga një hapësirë shumë më e zgjeruar dhe me një përfitim të madh, natyrisht reciprok.

Të gjithëve ne na është dhënë rasti që të konstatojmë, kur gjendemi këtu në Shkodër, se në fakt jemi në një hapësirë që gjithmonë është përjetuar si një hapësirë ndërveprimi. Nuk është aspak e rrallë të dëgjosh gjuhën tuaj, gjuhën malazeze, në restorante, në hapësira publike, apo në vende turistike si rezultat i udhëtimeve të vazhdueshme, historikisht të tilla, përpara se të na mbyllte kufijtë dhe të na ndante për së gjalli regjimi i vjetër dhe sot të gjesh të zhvilluara në vijimësi dhe të ripërtërira në jetën e përditshme, si ndërveprime dhe si komunikime krejt të zakonshme brenda një hapësire ku kufiri mes nesh është një konvencion për qytetarët këtej dhe andej kufirit.

Ashtu sikundër, ju e dini më mirë se unë, se sa shumë qytetarë nga Shkodra, por edhe nga e gjithë Shqipëria, udhëtojnë sa shpesh matanë kufirit, në Malin e Zi, gjatë të gjithë vitit e më së shumti, natyrisht, gjatë sezonit turistik. Kjo është përditshmëria e njerëzve tanë dhe është detyra jonë që mbi këtë përditshmëri të çojmë më tutje projekte, të cilat forcojnë lidhjet dhe rrisin mundësitë për zhvillim ekonomik dhe rritje të mirëqenies të njerëzve tanë.

Shqipëria dhe Mali i Zi janë të bekuara me bukuri fantastike natyrore. Edhe pse dy vende të vogla në brendinë e tyre kanë itinerare magjike, që nga bregu i detit deri në majat e maleve. Promovimi i përbashkët i tyre, sidomos në hapësirën ndërkufitare, politikat e harmonizuara në mbrojtje të mjedisit dhe në zhvillimin racional të kapaciteteve turistike, duke shfrytëzuar bukuritë tona përrallore, do të na mundësojnë jo vetëm rritjen e kapaciteteve për të pritur edhe më shumë turistë, duke intensifikuar praninë e tyre në destinacione deri sot të pashfrytëzuara, por edhe forcimin real të nevojës së dëshiruar për njëri-tjetrin.

Më vjen shumë mirë që kemi gjetur sëbashku gjuhën pa asnjë mundim, për të inkurajuar shkëmbimet kulturore mes dy vënëve tona. Janë shkëmbime tërësisht natyrale, por në të cilat është gjithmonë nevoja e angazhimit dhe mbështetjes së qeverisë. Sot, panairet e librit janë bërë ngjarje të zakonshme për nga shpejtësia e tyre, qoftë andej, qoftë këtej kufirit. Megjithatë fuqia e impakti i kulturës që ndajmë sëbashku në shumë elementë të saj janë një arsye që ne të bëjmë më shumë për të trashëguar edhe tek më të rinjtë gjithçka që kemi të çmuar dhe kemi vlerë të bashkëndarë jo vetëm të popujve dhe të vendeve tona, por edhe trashëgimi kulturore europiane.

Patjetër kemi shumë për të bërë kur vjen puna tek nxitja e shkëmbimeve tona tregtare, që duhet ta pranojmë, nuk janë sot në shifra të atilla që të mund të reflektojnë të gjithë këtë afërsi e këtë ndërveprim mes njerëzve të zakonshëm dhe të gjithë këtë potencial mes nesh. Lëvizshmëria e produkteve, certifikimet e tyre, prania e balancuar e investimeve janë pika ku ne mund të bëjmë shumë më tepër sëbashku. Ashtu sikundër sëbashku mund të identifikojmë dhe të përcaktojmë incentiva lehtësuese për të dyja palët, në radhë të parë, duke hequr barrierat jotarifore, që shpeshherë bëhen një problem më vete për eksportuesit dhe importuesit tanë në dy anët e kufirit dhe dekurajojnë zhvillimin e mëtejshëm, ashtu siç do ta lejonte potenciali, të aktivitetit tregtar.

Më vjen shumë mirë që kjo mbledhje qeverie pasohet nga një forum i biznesit, që është një aktivitet bashkëlidhur këtij takimi kaq të rëndësishëm dhe ku na takon ne, që dëshirën dhe interesin e kompanive për tregun e Shqipërisë, apo të Malit të Zi, në të dy anët ta përkthejmë në mbështetje dhe në hapa konkretë lehtësues për ta.

Edhe nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit mes Dhomave respektive të Tregtisë dhe të Biznesit është një hap i mirë në këtë drejtim, siç është një hap i mirë, besoj, edhe marrëveshja e arritur mes Agjencisë tonë për Zhvillimin e Investimeve dhe Agjencisë së Malit të Zi për Promovimin e Investimeve, të cilat mund të bëjnë shumë sëbashku, duke shkëmbyer informacion dhe ndërtuar edhe paketa të përbashkëta për investitorë të interesuar për të dy anët e kufirit, njëkohësisht. Siç e thashë, po ndeshemi gjithmonë e më shumë me një interes të tillë dhe për këtë na takon që të gjejmë të gjitha mënyrat që ta adresojmë siç duhet.

Më vjen shumë mirë që të theksoj këtu, se mes nesh ka edhe një urë historike të pazëvendësueshme, që fatmirësisht, qoftë për ne, qoftë për ju, konsiderohet një pasuri e madhe, që është ura e minoriteteve. Është një tjetër shembull fantastik i bashkëjetesës mes nesh. Me miratimin e ligjit për minoritetet, Shqipëria i dha më në fund, edhe minoritetit malazez vendin dhe vlerën që i takon, me ligj, paçka se, kur i themi ne “me zakon”, minoriteti malazez ka pasur atë vend, e ka pasur atë vlerë dhe në ndërveprimin dhe bashkëjetesën me shqiptarët nuk ka pasur kurrë problemin më të vogël.

Unë dua t’ju shpreh të gjithë respektin që nuk është asnjëherë i tepërt të përsëritet në shprehjen e vet, për vëmendjen në rritje që ju, Presidenti, miku ynë i shtrenjtë, Milo Đukanović, qeveria juaj i keni kushtuar shqiptarëve në Malin e Zi. Jam krenar për rolin e tyre shumë pozitiv në Malin e Zi, për qasjen e tyre qartësisht në krah të forcave progresive që kërkojnë integrimin e plotë të Malit të Zi në të gjithë hapësirën euroatlantike dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ata i kanë dhënë Presidentit, jo thjesht personit, i cili meriton të gjithë mbështeten, por asaj që ai ka përfaqësuar me një dinjitet për t’u marrë shembull nga të gjithë, mbështetjen qysh në procesin e pavarësisë, pastaj edhe në procesin e anëtarësimit në NATO, që për ju rezultoi veçanërisht i vështirë në raport me situatën brenda Malit të Zi.

Jam shumë besimplotë që kërkesat legjitime të shqiptarëve në Malin e Zi, konform Kushtetutës së vendit tuaj dhe standardeve ndërkombëtare, do të jenë vazhdimisht në dëgjimin tuaj dhe do të kenë në vijimësi të gjitha përgjigjet që meritojnë.

Ka shumë gjëra për të thënë në një takim mes Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe nuk është aspak e zakonshme, sidomos në rajonin tonë, që të gjitha gjërat të jenë pozitive, por janë të gjitha pozitive dhe ne rrezikojmë këtu të dukemi sikur jemi mbledhur për t’i bërë qejfin njëri-tjetrit. Por s’kemi asnjë çështje mes nesh ku mund dhe t’ia prishim qejfin njëri-tjetrit, qoftë dhe për të mos marrë mësysh. Kemi një traditë të përbashkët të vendosjes së hudhrave në një mjedis ku ka harmoni të plotë, për të larguar syrin e keq, megjithatë, besoj që në këtë rast është vetë Shkodra që largon çdo sy të keq nga takimi mes nesh.

Dua ta mbyll me kapitullin e rëndësishëm të bashkëpunimit që lidhet me Procesin e Berlinit dhe me projektet e mëdha të programit të bashkëpunimit rajonal, ndër të cilat, ndërtimi i autostradës Adriatiko-Joniane është një projekt strategjik, i mbështetur fuqimisht nga të dyja palët. Ashtu sikundër nga ana jonë jemi në një proces intensiv lobimi për të mbështetur dhe mundësuar realizmin e gazsjellësit Adriatiko-Jonian, në mënyrë që Mali i Zi, Kroacia të përfitojnë drejtpërdrejtë nga gazsjellësi Trans-Adriatik dhe nga pikëpamja energjetike, sovraniteti rajonal, por dhe kapacitetet rajonale të fuqizohen në mënyrë të ndjeshme.

Këtu, me thënë të drejtën, kam edhe 3 herë kaq, të shkruara për të folur, por besoj se mjafton për të përfunduar fjalën time, duke qenë i bindur që të gjithë ministrat këtu kanë mundësi të mëdha dhe patjetër, edhe barrën e një interesi të përbashkët për të zhvilluar bashkëpunimin në çdo aspekt, nga ekonomia, deri tek siguria, për të cilën, ne jemi në një proces rritjeje të bashkëpunimit për të siguruar kufijtë nga të gjithë flukset e veprimtarive ilegale të natyrave të ndryshme.

Me dëshirën e madhe që ju të largoheni nga Shkodra me mbresat më të mira, pasi kemi mundësuar edhe diell, edhe erë, në mënyrë që edhe drita të jetë e plotë, por edhe vapa të mos e pengojë zhvillimin në freski të të gjithë kësaj ngjarjeje të rëndësishme mes dy vendeve, unë, i dashur Duško, po të kaloj fjalën, për të plotësuar të gjithë boshllëqet që unë lashë në fjalën time.