U PROMOVUAN DOKUMENTARI DHE LIBRI “LUTFI NDREU, MËSUES DHE ARTIST “

Personalitete të shquara te letërsisë, artit dhe kulturës, si dhe ajka e inteligjencës dibrane dhe asaj mbarëkombëtare ndoqën sot (30 Qershor 2018), me interes të jashtëzakonshëm dokumentarin “LUTFI NDREU, MESUES DHE ARTIST” dhe promovimin e librit me të njëjtin titull, të shkrimtarit dhe publicistit të mirënjohur, Halil Rama.
E moderuar mjeshtërisht nga Prof.Bujar Kapexhiu – “Mjeshtër i Madh”, kjo veprimtari promovuese në sallën e madhe të Muzeut Historik Kombëtar, qe mjaftë mbresëlënëse.
Të intervistuarit në dokumentar: Skënder Cala – “Mjeshtër i Madh”, bilbili i këngës popullore, Liri Rasha, Artiste e Merituar dhe Mjeshtre e Madhe”, poeti dhe pedagogu Sadik Bejko dhe mësuesi e veprimtari i shquar shoqëror dhe politik, Lavdrim Shehu vlerësuan krijimtarinë brilante të mësuesit Artist, Lutfi Ndreu.
Më pas gjatë promovimit të librit me të njëjtin titull, folën Prof.dr.Ramazan Bogdani, Dr.Hajri Mandri dhe shkrimtari e publicisti Sakip Cami.
Por ai qe ngriti peshë zemrat e pjesëmarrësve qe padyshim gjenerali 100 vjeçar Rrahman Parllaku, Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit. Në fjalën e tij spikati mendjemprehtësia, kujtesa fenomenale dhe vizioni e koherenca në përcjelljen e mesazheve.
Fjalë zemre thanë për mësuesin Artist Lutfi Ndreu edhe artisti i madh dibran Arif Vladi – ikonë e këngës, sidhe Liri Rasha. Këngët që ata interpretuan e bënë më të larmishme këtë veprimtari promovuese. Dhe në fund, autorit Halil Rama dhe personazhit të legjendarizuar së gjalli, Lutfi Ndreu, s’ju mbeti gjë tjetër, veçse të shprehnin përzemërsisht falënderimet dhe mirënjohjet e rastit, ndërsa Familja e nderuar Ndreu shtroi një koktejl mjaftë të pasur për pjesëmarrësit…