Përpara Kombëtarja ime zvicerane!

Nga Gani Mehmetaj

Ata po na e rizgjojnë krenarinë tonë kombëtare, që na e shkelën faqezinjtë e hajdutët, tregtarët e flamujve e qyqarët, qeveritarët e opozitarët.

Si do të kishin reaguar Rita Ora, Dua Lupa, Bebe Rexha etj. sikur t’i akuzonim në stilin stalinist: jeni tradhtare, pse nuk këndoni shqip në festivalin e Radiotelevizionit shqiptar a në RTK, po në anglisht dhe në metropolet e botës. Ato u bënë yje të planetit, sepse karrierën e nisën në Britani tëMadhe e në SHBA, duke kënduar anglisht. Ne mburremi me to, sepse i çmon planeti. Ato mburren që janë shqiptare kudo dhe kurdo.
Kjo vlen edhe për fudbollistët shqiptarë në Evropë. U bënë të mëdhenj, sepse e nisën karrierën në Evropë, mburremi me ta, sepse ata e vënë në pah kudo që janë shqiptarë. Dhe shqiptarëve të përbuzur e të nëpërkëmbur u duhen njerëzit e suksesshëm, sepse na turpëruan qeveritarët, na e nxinë fytyrën hajdutët e krimi i organizuar, na bënë me komplekse patriotët e shpifur, që duan ta fshehin dështimin tonë kombëtar.
Do t’i themi ndonjë fudbollisti, kur të kalojë euforia kombëtare, hiqni simbolet e beduinëve se po e turpëroni kombin që u duan, mjafton duart e kryqëzuara për shqiponjën dykrenore.