Vettingu dhe modeli Arta Marku!

Nga Pranvera Vatoci

Me dt.3 Korrik Arta Marku do të kalojë vetingun.

Ndryshe nga shumë koleg/e të saj në sistemin e drejtësisë që e quajtën vettingun si rrathët e ferrit, Prokurorja e Përgjithshme në detyrë po e pret e qetë. Qetësia vjen nga gjithë veprimtaria e saj në profesion e cila rezulton të jetë jo vetëm tërësisht ligjore por dhe nga morali njerëzor që e dominon. Që prej 18 Dhjetorit 2017 kur u zgjodh në detyrë Arta Marku tregoi me veprime se mund të drejtosh akuzën pa u politizuar, pa u korruptuar, pa u intimiduar.

Është rast i rrallë që një drejtues institucioni në kaq muaj të mos ketë firmosur asnjë shkresë tenderimi e prokurimi.

Është po aq e rrallë që kjo zonjë i largohet reklamimit mediatik siç bëjnë rëndom kolegët e saj.

Ajo i dha akuzës fytyrën e vërtetë të zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së tij brenda normave konstitucionale dhe jo duke provokuar aksione të rreme sa për bujë.

Por ajo që dallon nga të tjerët Arta Markun është pasuria mjaft modeste ndonëse ka 15 vite si prokurore e drejtuese. Në fakt bazuar në pagat dhe nivelin e jetesës modeli i saj duhet të ishte dominues. Por nuk është aspak kështu. Prokuror e gjygjtar po çudisin dynjanë me pasuritë e asetet e deklaruara duke pasur parasysh se përtej deklarimit formal ka shumë e shumë vrima të zeza të fshehjes së milionave. Ndaj Arta vetingun e pret me qetësi.

Duhet theksuar se Prokurorja Arta Marku nuk priti shortin e radhës për vetting por e kërkoi vetë kohë më parë.

Pas datës 3 Korrik ne do të shohim natyrisht një Prokurore më të fortë pasi që ajo largon një “handikap” (vettingun) të cilin disa ligjvënës tendencioze e përdorën si çengel për ta sulmuar. E sigurt në suksesin e Artës do të ftoja shqiptarisht në emër të drejtësisë dhe ligjit secilin person a personalitet që ka lidhje me drejtësinë të përkrahë pa rezerva e pa komplekse këtë zonjë të lartë aspak si individ por si një model i cili lipset për shëndoshjen e situatës deri kriminale që dominon drejtësinë shqiptare.