Pse Danezët janë populli më i lumtur në botë?

Danezët, në të gjitha “toplistat” e popujve më të lumtur në botë zënë vendin e parë. Zakonisht para Norvegjisë, Zvicrës dhe Holandës. Por përse është kështu? Këtë pyetje ia kanë bërë vetes studiuesit nga Universiteti anglez Warwick. Për të gjetur përgjigjen, ata së pari kanë marrë të dhënat për 131 vende të botës, nga ranglista të ndryshme ndërkombëtare lidhur me atë se sa “të lumtur” janë këta popuj.

Pastaj këto të dhëna i kanë krahasuar me distancën gjenetike (ADN) në mes të popujve në fjalë. Ajo që kanë zbuluar shkencëtarët anglezë ka qenë befasuese: “Sa më shumë që gjenet e një populli dallojnë nga ato të danezëve, aq më pak i lumtur është ai popull”, sqaron bashkautori i studimit, Eugenio Proto. Hulumtuesit kanë marrë parasysh me këtë rast edhe ndikimet tjera si bruto prodhimi shoqëror, kultura, religjioni dhe shkalla e zhvillimit të shtetit social.

Ata kanë lidhur me studimin e tyre edhe rezultatet e një studimi të mëparshëm i cili tregon se ndjenja e kënaqësisë mentale është e lidhur me një variant të atij gjeni që e transmeton sasinë e serotoninës në tru. Serotonina ndikon në gjendjen (disponimin) e njerëzve. Ata që kanë variantin e shkurtër të gjenit, priren më shumë nga neurozat dhe pakënaqësi e thellë.

“Nga 30 kombet që kanë qenë objekt studimi, janë pikërisht danezët dhe holandezët, të cilët kanë përqindjen më të ulët të njerëzve që kanë variantin shkurtër të gjenit”, thotë Proto.

Më tutje, studiuesit anglezë kanë konstatuar se edhe lumturia ose ndjenja e të qenit i lumtur është e trashëgueshme. Ata kanë konsultuar studime të ndryshme që bëjnë fjalë për ndjenjën e lumturisë te amerikanët. Duke bërë krahasime, ata kanë gjetur se ka një korrelacion të pasqarueshëm në mes të kombeve të shteteve të caktuara dhe të amerikanëve, paraardhësit e të cilëve vijnë nga këto shtete, ka thënë bashkautori tjetër, Andrew Oswald.

Danimarka, vitet e fundit është shpallur si shteti ku njerëzit kanë nivelin e lumturisë më të lartë në botë, por për të shuar kuriozitetin na vjen në ndihmë  edhe Dan Buettner, eksplorues i “National Geographic”dhe autor i librit “The blue Zones of Happiness: Lessons from the World’s Happiest People”.

Gjëja e parë që Buettner tregon është se danezët janë të lumtur sepse kanë pritshmëri të vogla. E në fakt asgjë s’mund të jetë më e vërtetë se kjo. Çdo danez, që në momentin e lindjes pret kujdes shëndetësor falas dhe edukim falas. Më pas, kur shkojnë në universitet, ata presin të paguhen për të shkuar në shkollë. Nëse kanë fëmijë, ata presin t’i kenë 10 muaj pushim me pagesë që të dy prindërit. Dhe ata presin të dalin në pension pa pasur probleme financiare për tërë jetën e tyre.

“Çfarë i bën danezët të lumtur, unë besoj është fakti që qeveria kujdeset për të gjitha nevojat e tyre jetësore, asgjë s’mund të shkojë shumë gabuar në jetët e tyre , ta janë të lire të ndjekin një punë që vërtet i flet pasionet e tyre”, thotë Dan.  Lumturi është të jetosh duke i shmangur streset e përditshme të jetës, por danezët i paskan të gjitha! Ato shërbime që shumë vende të tjera, përfshirë edhe ne, i kërkojmë nga shteti, ata i kanë. Ndaj, nuk besojmë se ndryshojmë shumë nga pritshmëritë. Nejse, temë e gjerë kjo. Ata janë duke jetuar të lumtur dhe kjo mjafton për danezët!