Levreku, kombëtarja jonë zvicerane dhe haremi turk

Nga Gani MEHMETAJ

Mbrëmë në Shëngjinin e mrekullueshëm u kënaqa duke ngrënë peshk dhe duke e ndjekur lojën Serbi- Brazili në Televizionin shqiptar, megjithëse prisja të shihja ndeshjen Zvicra -Kosta Rika. Por Televizioni Shqiptar, meqë ishte mbështetëse e dashuruar e ekipit të Serbisë, e hoqi Zvicrën dhe ma nxori Serbinë me Brazilin. U kënaqa me rezultatin, por mu deshtë të thërrisja në Prishtinë që të merrja vesh si kaloi kombëtarja jonë zvicerane.
Derisa prisja në restorant gatimin e levrekut me bukë misri e verë të bardhë, për herë të parë shihja serinë turke për haremin (shtëpinë publike) të Sulltanit.
– Ç’u paska pushtue turku, – u thashë pronarëve të restorantit që s’ma vunë veshin, por vazhduan të shohin serinë, deri kur ua kërkova me këmbëngulje kanalin që e transmetonte lojën e Zvicrës me Kosta Rikën.
– Ai kanal asht me lek, me tha i zoti, kurse pa lek ma nxori Televizionin Shqiptar që e jepte lojën e Serbisë. Nga zhurma në restorant nuk e dëgjova zërin e komentuesit të sportit K. Grillos a ndonjë tjetri, prandaj nuk e mora vesh sa u pikëllua (n) për humbjen e Serbisë?