Turku i ri!

Nga Ilir KADIA

Herën e dytë që u ulëm për kafe me një mikun tim të vjetër qëlloi sërish edhe kolegu i tij i zyrës. Herën e parë mësova se ky kish qënë dhjetë vjet në Turqi dhe se, sipas tij turqit për ne shqiptarët vdesin. Unë tunda kokën për as po as jo! Pastaj kur ai tha se koha e Turqisë ish më e mira e historisë së Shqipërisë dhe se jo Evropa por Turqia është e ardhmja jonë unë stepa. Nuk kisha qëlluar të bëja një bisedë të tillë me një turkofil.
“Turqit na duan shumë por ne jemi të keqët e vetes! Kam takuar në Stamboll njëherë një gjeneral e sa mori vesh që jam shqiptar më tregoi një histori…!”
“Pa hë njëherë, si është kjo histori! “-tregova unë interes të shtirur.
“Po ja kish takuar njëherë Sulltani dy shqiptarë luftëtarë të tij dhe… “-filloi ai historinë por unë e ndërpreva duke e treguar vetë fabulën e saj.
“Dhe u tha se do u bënte të dyve dhuratë por me kusht që atij që do kërkonte i dyti do ja bënte të dyfishtë dhuratën. Dhe ata të dy hezitonin kush të kërkonte i pari se për të dytin dhurata do ish dy herë më e madhe dhe në fund njëri i kërkoi ti nxirrte një sy që shokut të tij t’ia nxirrte të dy sytë! Dhe kështu u bë. Dhe ai gjenerali yt të tha në fund se Sulltani i desh shumë shqiptarët por ata nuk duan njëri tjetrin dhe se ne jemi të keqët e vetes! “
“Po, tha filoturku, po ti nga e di?! “
“Mua ma ka treguar babai. Dhe babait gjyshi që ka qënë 8 vjet në Jemen, nizam. Por as gjyshi babait, e as babai mua nuk ma ka treguar me dy shqiptarë por me dy të babëzitur pas pasurisë e xhelozë të kamjes së tjetrit! E gjenerali yt turk ty sa të njohu ta tregoi me dy shqiptarë se i do fort shqiptarët!”
Ai nuk e priste këtë reagim timin ashiqare tallës. Por mua aq më bëri.