Tre lojtarët “Shqiponja” të Zvicrës do të luajnë të mërkurën kundër Kosta Rikës

Tre lojtarë të Zvicrës, i kanë shpëtuar ndëshkimit të FIFA-s për të mos luajtur në ndeshjen e radhës, por do të paguajnë gjoba, për shkak se bënë simbolin e shqiponjës me duar gjatë ndeshjes kundër Serbisë të premten.
Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Stephan Lichetsteiner do të jenë në gjendje të luajnë kundër Kosta Rikës të mërkurën.
Hetimi i FIFA-s për gjestin e shqiponjës u kërkua nga krerët e Federatës serbe të Futbollit pas humbjes së ekipit të tyre 2 me 1 ndaj Zvicrës, në ekipin e së cilës luajnë 4 lojtarë me origjinë nga Kosova.

Është konfirmuar se Xhaka dhe Shaqiri do të duhet të paguajnë një gjobë prej 10,000 frangash (rreth 10 mijë dollarë) secili për gjestin e tyre. Lichtsteiner do të duhet të paguajë 5,000 franga (rreth 5 mijë dollarë).

Komiteti Disiplinor i FIFA-s vlerësoi se gjesti ishte shkelje e nenit 57 të Kodit Disiplinor të organizatës. Në vendimin e saj me shkrim, FIFA thotë se në rast përsëritjeje, ndëshkimet mund të jenë edhe më të ashpra.

Claudio Sulser, delegat i ekipit kombëtar zviceran, nuk komentoi për vendimin. Ai tha: “Ne i mbajmë parasysh vendimet e Komitetit Disiplinor të FIFA-s dhe jemi të kënaqur që tani e tutje do të mund të përqendrohemi vetëm te sporti. Kemi një lojë të rëndësishme në Nizhny të mërkurën dhe duam të japim gjithçka mundemi për ta bërë ndeshjen kundër Kosta Rikës të suksesshme”.

Shoqata Serbe e Futbollit u dënua me një gjobë prej 54 mijë frangash (rreth 54 mijë dollarë) si dhe me një paralajmërim për shpalosjen e parrullave dhe mesazheve diskriminuese nga ana e tifozëve si dhe për hedhjen e sendeve gjatë ndeshjes Zvicër-Serbi.

Presidenti i Shoqatës, Slavisa Kokeza dhe traineri Mladen Krstajic u gjetën fajtorë për sjellje josportive për shkak të deklaratave të bëra pas ndeshjes. Ata u dënuan me nga 5 mijë franga (rreth 5 mijë dollarë) gjobë secili si dhe me paralajmërim.