Porosia e Gjergjit tonë të Madh

Nga Bedri TAHIRI

Njëzet e katër luftëra bëri
Njëzet e katër vdekje theu
Çka mangut linte Gjergji
Plotësonte natën Skënderbeu.
(Ismail Kadare)

…Janari i egër i vitit 1468, krahas dëborës së madhe, solli edhe shumë të zeza, që rënduan ashpër mbi supet e Arbërisë së molisur nga betejat e pareshtura. Rrethimi i tretë i otomanëve e kishte sfilitur fare, sa e kishte vënë buzë varrit. Kryezoti po lëngonte në shtrat. Çdo lajm i hidhur nga fushëbetejat ia çante zemrën në dysh, por kot.
Shtati prej vigani, që kurrë nuk njohu përkulje, kishte ngecur pa fuqi dhe s’ngrihej dot. Fare pranë, Donika sypërlotur, dhe i biri trembëdhjetëvjeçar, Gjoni i padjallëzuar. Tutje, ulur nëpër frone të mëdha druri, princër e kapedanë flokëthinjur e mustaqedredhur që nuk bëzanin. Heshtje e rëndë, plumb. Vetëm kur ia sollën lajmin e fitorës përfundimtare mori frymë lirshëm. U ngrit cazë në bërryla, ua hodhi një sy të gjithëve, sa ishin aty, dhe me zë të ngjizur tha:
-O bashkëluftëtarët e mi besnikë, o princër e kapedanë tima! Unë po ua lë shëndenë. Amanet Atdheun dhe birin tim të njomë. Po u lë të rrethuar nga armiqtë, por, nëse bashkoheni dhe lidheni tok, siç kemi qenë deri sot, do t’ia dilni mbanë. Përndryshe, po u përçatë, do t’u marrë lumi. Lirinë, që nuk ua solla unë, por e gjeta midis jush, ruane më shumë se jetën!
Kujdes dredhitë…pusitë…pabesitë…xhelozitë…ndasitë…
Dhe, ditë e zezë agoi. Me shtatëmbëdhjetë janar Lezha u gdhi në zi. Dielli ngatërroi rrugën. Lumenjtë ndaluan gurgullimën. Zogjtë harruan këngën. Gratë u veshen me të zeza, ndërkaq burrat shkurtuan gunat mbi bërryla. Kali, ngelur jetim, kalëroi e kalëroi derisa mbeti pa frymë. Lekë Dukagjini, flokëshprishur e mjekërrshkulur, me zë hakërrues dha kumtin e kobshëm:
-Mblidhuni, mblidhuni me vrap, o princër e sundimtarë arbërorë. Sot u bën copë e grimë dyert e Epirit dhe të Maqedonisë, sot u rëxuan muret dhe fortesat tona, sot fluturoi tërë forca dhe fuqia jonë, sot u përmbysen forcat e pushtetet tona, sot u shuan së bashku me këtë njeri çdo shpresë jona…
Vërtet, dhjetë vjet më vonë, gjërat morën tatëpjetën. Çdo gjë u rrokullis në greminë. Barbarët i përmbysen të gjitha. Etnosi ynë zu të nëpërkëmbej. U sulmuan gjuha, tradita, kultura, besa. E gjurmuan dhe e gjetën edhe varrin e kryetrimit. Tërë mllef, urrejtje e frikë u vërsulen mbi të, si bishat e tërbura dhe e zhvarrosen. O tokë, lëshona! Copë e grimë e bënë skeletin e tij. Për çudi, nga frika se po ringjallej a nga dëshira që të bëheshin trima si ai, eshtrat ia thërrmuan dhe i bënë nuska për t’i bartur me vete. Kështu, trimi, që lavdinë dhe trimërinë nuk ia zuri një varr i vetëm, u shtri gjithandej nëpër Evropë e deri në Azi.
Shpirti i tij i ndritur edhe më vonë, si gur sinori, u trazua nga të tjerët, që përpiqeshin me çdo kusht ta përvetësonin. I provuan të gjitha mënyrat, por pa sukses. Pema s’njihet nga gjethet, por nga rrënjët. E ato ishin thellë- thellë nën shkrepat e thepisur të Arbërisë, ku nuk arrinte dot dorë e huaj. Prej andej buronin dhe kujtimet e pashterrura për këtë kryehero. I përjetësuar në këngë, në legjenda, në tregime e në monumente të ndryshme na përcolli denbabaden, duke na e mbajtur ndezur flakadanin e lirisë nëpër shekujt e errrësuar e të mbpleksur me gjak.
Emri i legjendarit frymoi përherë edhe në tokën e lashtë dardane. Më gjallërues ishte gjatë luftës së ndritshme të UÇK-së. Një ditë nuk u durua më, edhe vetë ia mësye këtej…
28 Nëntor 2001. Kudo që bukës i thonë bukë e ujit ujë kishte festë. Qafë- Morini kishte gdhirë pa shtirë gjumë në sy. Ishte dehur fare nga gëzimi. Fati i ratisi t’i bashkojë shqiptarët. Aty po takoheshin legjendarët: Gjergj Kastrioti nga Kruja dhe Adem Jashari nga Prekazi. E madhërishme. Një kurorëzim i rrugës së gjatë mbi pesëqindvjeçare.
-Mirë së vjen, o Gjergj vëllai, o princi ynë i madh, që për shumë vjet nderove Arbërinë dhe mbarë Evropën!
-Mirë së ju gjëj, vëlla Adem, o komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me gjakun Tuaj të shtrenjtë më hapet rrugë për në Kosovën trime, që për të gjallë vetëm njëherë shkela në këto troje të begata!
Dhe, shpata e Gjergjit vringëllinte.
Dhe, mitralozi i Adem Jasharit bubullinte.
Dhe, kënga e vallja s’kishin të ndalur. Po bëheshin tok edhe tre nëntorët: KRUJA, VLORA, PREKAZI.
Emëruesi i përbashkët: L I R I A.
Sot edhe më mirë. Krenar e fytyrëqeshur nëpër mësonjëtorët tona prore rrezaton bashkim, urtësi, trimëri, bujari e mbi të gjitha atdhedashuri. Ai, për çdo ditë sikur u flet njomëzakëve:
Pa më shihni se ç’kam veshur,
Koha donte shpatë e trimëri,
Sot, o bukurosha, lypset ndryshe,
Libra, mësime dhe dituri!
Ç’porosi e mbarë e ç’mësime të mira për dritat e ardhmërisë. I tillë ka qenë gjithmonë Gjergji ynë, simboli i krenarisë sonë kombëtare.