Kupa e Botës 2018: Gjobiten Serbia dhe Meksika

Ekipet e futbollit të Serbisë dhe Meksikës janë të parat që u goditën me gjoba në Kampionatin Botëror, për shkak të shkeljeve dhe sjelljeve diskriminuese të tifozëve të tyre.

Federata Botërore e Futbollit – FIFA ndëshkoi ekipin serb me 10,400 dollarë pasi tifozët e tij, në ndeshjen me Kosta Rikën, mbajtën një pankartë “fyese dhe politike”, të kohës së Luftës së Dytë Botërore.

Ekipi i Meksikës u ndëshkua me gjobë të ngjashme për shkak të “brohoritjeve diskriminuese dhe fyese” të tifozëve kundër portjerit gjerman, Manuel Neuer.

Kampionati Botëror i Futbollit po zhvillohet në Rusi, në këtë eveniment përballen 32 ekipe në 64 ndeshje.