Dhimbja ime

Nga Laureta Petoshati

Shkova në vendlindjen tënde, në fshat
sipër, atij mali të mjegullt me pisha
ku sitej dielli e hëna, atje lart,
Zotin ta kisha afër kur për ty ta pyesja.

Kjo zija për ty At, më shndërroi
në dërrasë të zezë, ku dora që s’e sheh asnjeri
shkruan me të bardhë urtinë që të dalloi,
me dritë thjeshtësinë e dashurinë që i pate me tepri.

Marr një bluzën tënde, larë në dërstilën e lotit,
e vesh që brenda saj të ndihem ti,
tani, që je një engjëll në vatrën e Zotit,
shpirti yt në tokë në mua rri.

Dhimbja ime si ky mali hijerëndë,
mjegulluar, fillikat, por prapë ne këmbë!

©Vlorë më 20.06.2018