Deputeti i Tropojës Isuf Çelaj thirrje mërgimtarëve: “Investoni në vendlindje”

 “Unë garantoje mbështetjen time maksimale për çdonjërin prej jush qe vendose për të investuar në vendlindjen e vet që të mos keni pengesa burokratike nga na e qeverisjes vendore, por shërbime me korrektësi dhe ne kohe te shpejtë”

Kështu shprehet për “The Albanian” Isuf Çelaj, deputet i qarkut të Kukësit që me modestinë e tij na tregon për privilegjin dhe përgjegjësitë e të qënurit si deputet.

Po cilat janë përparësitë e mandatit të tij apo sfidat me të cilat përballet ai?  Ju ftojmë të lexoni në intervistën e mëposhtme.

Çfarë do të thotë për ju të jeni deputet i Tropojës?

Së pari dua t’ju falënderoj për intervistën dhe gjejë rastin që nëpërmjet faqes se gazetës tuaj të përshëndes gjithë komunitetin shqiptar në Angli, e në veçanti komunitetin tropojanë, hasjanë e kuksiane si pjese te qarkut që unë përfaqësoj në Parlamentin Shqiptar të cilët janë në një numër të konsiderueshëm këtu.

Për t’ju  rikthyer pyetjes tuaj, e kam theksuar gjithmonë që për mua është nder, privilegj dhe përgjegjësi e madhe të jemi i përzgjedhuri dhe përfaqësuesi i popullit të Malësisë së Gjakovës në tempullin më të lartë të demokracisë siç është parlamenti shqiptar. Çdo votë e banorëve të Qarkut Kukës për Partinë Demokratike, është përgjegjësi për mua dhe kolegët e mi deputet të këtij qarku  për të bërë më të mirën për ta.

Tropoja, Hasi dhe rajoni i Kukësit në tërësi, është një nga trevat më të spikatura të vendit tonë kur bëhet fjalë për bujarinë, trimërinë, atdhedashurinë, vitalitetin,  dashurinë për punën dhe dijen.

Edit Durham, një nga shkrimtaret botërore më të njohura,  pasi vizitoi Tropojën në vitin 1904, përshkroi me përpikmëri zakonet, sjelljet dhe besnikërinë e malësorëve. Ajo ka thënë: “Sa hyra në këto male, të parin malësor që takova e pyeta: – Ç’ka je?! – Shqiptar, m’u përgjigj ai. Ajo kishte  qenë edhe në vende të tjera dhe kishte pyetur po kështu, por i ishin përgjigjur se: ‘jam katolik’, ‘jam mysliman’, ‘jam ortodoks’…” .

Pavarësisht faktit që jam larguar prej vitesh nga Tropoja si shumë bashkëqytetar të mi për të studiuar dhe punuar në Tiranë, lidhjet e mia me Tropojën kanë qenë dhe mbeten shumë të forta. Këtë gjë e kam dëshmuar  në çdo detyrë  që kam pasur gjatë gjithë karrierës time dhe gjeje rastin të falënderoj Partinë Demokratike, kryetarin e saj Basha,  që më dhanë mundësinë të vazhdojë të jap kontributin tim, tashmë si deputet i Tropojës.

Cilat kanë qenë sfidat tuaja në përfaqësimin e kësaj zone?

Qarku i Kukësit në përgjithësi pjesë e të cilit  edhe Tropoja, është një nga rajonet më të pasura me burime natyrore mbitokësore dhe nëntokësore, dhe me potenciale të mëdha njerëzore. Rrjedhimisht këto pasuri duhet të ishin të mjaftueshme për të siguruar punësim dhe mirëqenie për banorët e Tropojës.

Fatkeqësisht sfidat janë shumë të mëdha nisur edhe nga situata politike dhe ekonomike që po kalon vendi ynë aktualisht. Tropoja dhe rajoni i Kukësit në tërësi, është një nga rajonet më të varfra në vend dhe që qartazi është persekutuar politikisht nga qeveria aktuale, duke e lënë atë jashtë skemës së investimeve publike.

Rajoni i Kukësit ka  numrin më të madh të të larguarave,  jashtë vendit, vitet e fundit për shkak të varfërisë dhe humbjes së shpresës se ky vend mund të ketë një të

ardhme më të mirë. Si deputet, si qytetarë, si prind, nuk do të doja që kjo varfëri dhe mungesë shprese të trashëgohet dhe reflektohet edhe tek brezat që vijnë, tek rinia, duke shkatërruar shpresën,  të ardhmen e tyre dhe të gjithë kombit tonë.

Si deputet i opozitës, mundësitë e mia për të ndryshuar këtë situatë janë të limituara, pavarësisht që dëshira dhe përgjegjësia është e madhe.

Cilat janë prioritet tuaja?

Gjatë fushatës time elektorale kam identifikuar të gjithë problematikat që shqetësojnë banorët e Tropojës dhe këto problematika ia kam bërë të ditura vazhdimisht qeverisë nëpërmjet fjalimeve të mia në parlament, por edhe në komunikim zyrtarë me disa ministri të linjës.   Së bashku me pushtetin lokal kemi  bërë përpjekje maksimale për të adresuar disa prej këtyre problemeve më të mprehta, por mungesa e mbështetjes së qeverisë e bën shumë sfiduese adresimin e këtyre problemeve vetëm me buxhetin shumë të limituar të pushtetit lokal. Megjithatë, disa projekte janë hartuar në bashkëpunim me Bashkinë dhe jemi në kërkim të mbështetjes së donatorëve të ndryshëm për vënien e tyre në zbatim.

-Emergjente janë investimet në sistemin e rrjetit të shpërndarjes energjisë  dhe kabinave elektrike në të gjithë rrethin pasi është tejet i amortizuiar dhe në pjesën e madhe te tije është ai i viteve 1970; periudhe në të cilën ka përfunduar elektrifikimi i vendit,

-Investimet ne sistemin  e vaditjes së tokës bujqësore kryesisht i dy kanaleve te mëdha vaditëse që ka Tropoja si kanali i Krasniqes dhe ai i Gashit dhe pastaj ne kanalet Vaditëse te fshatrave të veçantë,

-Investimet ne infrastrukturën rrugore e cila me gjithë investimet  e bëra në vite ka akoma rruge që duhen ndërtuar e ri-konstruktuar duke i shtruar me asfalt sipas parametrave bashkëkohorë si Rruga qafe Prushi-Zogaj-Kam  e cila ka një rendësi të veçantë pasi lidhe një zone mineral mbajtëse me rezerva shume të mëdha kromi, por njëkohësisht e lidhe atë pjesë me Kosovën dhe rrethin e Hasit  dhe i shërben zhvillimit ekonomik e përmirësimit te jetesës se banoreve të këtyre zonave, për të cilën është bere projekti dhe studimi i fizibilitetit dhe është dorëzuar tek FSHZH ne pritje te financimit te tije brenda këtij viti,

-Investimet në rrugët e fshatrave Luzhe dhe rruga për tek Tyrbja e Dervish Luzhes, rruga për në Qafe Vranices për të bërë të mundur lidhjen me zonën e Plave e Gucisë, Vuthajve e pjesën e bjeshkëve të Rugovës e Deçanit ne krahun e Kosovës, rruga e Gegehysenit, rrugët në zonën e Nikaj-Merturit etj

-Projektet për rikonstruksionin e Shkollës se Mesme “Asim Vokshi” B.Curri, shkollat  e mesme Llugaj, Fierze e Lekbibaj  si dhe dy kopshte për fëmijët parashkollor në qytetin e  B.Currit,

Për të gjitha këto që thashë më sipër projektet janë gati dhe jemi ne pritje të financimeve nga qeveri qendrore apo donatoret  e huaj.

Turizmi është një nga prioritet kyçe, si një mundësi që sjell punësim dhe mirëqenie, zhvillim të qëndrueshëm rajonal si dhe zhvillim të infrastrukturës lokale. Sektor të tjerë me shumë prioritet për zonën janë edhe bujqësia dhe blegtoria, me impakt direkt në jetën e banorëve.

Është një mundësi e mirë për mua që nëpërmjet portalit tuaj ti bëjë thirrje dhe të inkurajoj bashkëqytetarët e mi që jetojnë në Angli që të investojnë në Tropojë, Has dhe Kukës sidomos në një sektor kyç siç është turizmi.

Unë garantoje mbështetjen time maksimale për çdonjërin prej jush qe vendose për të investuar në vendlindjen e vet që të mos keni pengesa burokratike nga na e qeverisjes vendore, por shërbime me korrektësi dhe ne kohe te shpejtë.

Ashtu siç ftova më lartë bashkatdhetarët e mi që të investojnë në Tropojë dhe të gjithë së bashku të bëjmë më të mirën për vendlindjen tonë, dua ti ftojë gjithashtu të zgjedhin jo vetëm bregdetin shqiptarë  të mrekullueshëm, por edhe alpet shqiptare, Tropojën dhe bjeshkët e saj si destinacion e pushimeve të tyre verore.  Është një mundësi e mirë për të pushuar, për të takuar njerëzit e tyre të afërm, si dhe të ndihmojnë fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën shqipe dhe të ruajnë traditat shqiptare.

Gjej rastin te ndaje me ju lajmin se Valbona është përfshirë nga ana e qeverise shqiptare ne projektin e investimeve te 100 fshatrave turistike për qendrat urbane te këtyre fshatrave.

Një mesazh për emigrantët shqiptarë që jetojnë në Angli

Unë jam i vetëdijshëm për vështirësitë dhe sfidat që ka emigracioni kudo. Përballja mes kulturave të ndryshme, përballja me integrimin në një shoqëri të huaj, por edhe me diskriminim ndofta në raste të caktuara. Megjithatë në pjesën më të madhe shqiptarët që jetojnë, punojnë apo studiojnë atje na kanë bërë krenar, me punën dhe arritjet e tyre dhe shembujt në të tilla raste janë të shumtë. Sigurisht që ne kemi çfarë të marrim nga kultura evropiane, ashtu sikundër kemi edhe çfarë të japim. Shqiptarët janë një popull i zgjuar, energjik dhe me tradita të vyera familjare. Do të dëshiroja shumë që jo vetëm shqiptarët që jetojnë në Angli, por kudo ndodhen në botë, të kenë në prioritet e tyre që tua përçojnë gjuhen tonë të bukur shqipe, gjuhën amë, fëmijëve të tyre, brezave të ardhshëm. Sinqerisht ndiej dhimbje kur shoh dhe dëgjoj në raste të caktuara që fëmijët e emigrantëve shqiptarë, nuk dinë të flasin shqip. Në kohën e sotme kjo mundësi është akoma më e lehtë, mjafton vetëm vullneti.

Mbani kontaktet e vazhdueshme me pjesëtarët e familjeve ne vendlindjet tuaja kontribuoni me sa te keni mundësi për zhvillimin e prosperitetin e këtyre zonave me ide e financime sado te simbolike qe mund te jene, pasi kështu ja rrisni vlerat vetes dhe vendit tuaj te dashur qe te vizitohet nga sa me shume turiste vendas dhe te huaj

Edhe një herë, i përshëndes të gjithë dhe i garantoj që Partia Demokratike vlerëson kontributin e tyre dhe i shikon ata si ambasadorët tanë më të mirë në vendet ku ata jetojnë.

Bisedoi Merita Isufi