QYTETI

Nga Sulejman DIDA

Kush po ecën kaq rrëmujshëm,
gjithë dihatje si rrëzohet,
e mundimshëm, me ofshamë jepemerr me u ngritë,
me shku dikah e prapë rrëzohet…
Nga dritarja e memorjes, hoqa pak perden e kohës
edhe pashë se ish qyteti, zemrën ma këputi,
si po endet nëpër mjegull
tash sa kohë,
ka hupë udhën para derës
edhe s’del nji kalimtar
me i dhanë dorën e me i thanë,
mos t’ka hupë udha e madhe?
E përnjiherë, me i tregue
se nga dilet, se nga shkohet.
M’erdhi keq për kohën time
të shkueme dam në kët qytet
e i thashë me shpirt, kurrajo…

Askund dritë si s’po duket, medet.